FOKUS – Stoltenberg: NATO dhe aleatët synojnë të forcojnë mbrojtjen ajrore të Kievit pas sulmeve ruse

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 12 tetor /ATSH-ANSA/ – Më shumë se 50 vende u mblodhën në margjinat e një samiti të NATO-s në Bruksel për të diskutuar forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës, dy ditë pasi raketat ruse goditën Kievin dhe qytete të tjera në vend.

Takimi i Brukselit është takimi i parë i madh i NATO-s që kur Rusia aneksoi katër rajone të okupuara të Ukrainës, nisi mobilizimin e pjesshëm dhe nisi kërcënimet e fshehta bërthamore – lëvizje që aleanca perëndimore i ka klasifikuar si një përshkallëzim i qartë i luftës që filloi më 24 shkurt me pushtimin e Ukrainës nga Moska.

Dy ditë pas sulmeve me raketa ajrore ruse që vranë 19 njerëz në Ukrainë dhe ndërprenë furnizimet me energji elektrike në të gjithë vendin, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg u kërkoi aleatëve të dërgojnë më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore në Ukrainë.

Stoltenberg tha se “sulmet e tmerrshme dhe pa dallim” treguan pse kjo është kaq e rëndësishme.

“Ne kemi nevojë për lloje të ndryshme të mbrojtjes ajrore – me rreze të shkurtër dhe të gjatë, sisteme të mbrojtjes ajrore për t’u marrë me raketa balistike, raketa lundrimi, drone, sisteme të ndryshme për detyra të ndryshme,” u tha ai gazetarëve pas mbërritjes së tij në takim.

‘’Aleatët duhet gjithashtu të rrisin furnizimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore për të ndihmuar Ukrainën të mbrojë edhe më shumë qytete”, shtoi ai.

Dje, Ukraina mori të parin nga katër sistemet e mbrojtjes ajrore Iris-T Slm të premtuara nga Gjermania, sipas një burimi në ministrinë gjermane të Mbrojtjes.

Stoltenberg i quajti sulmet me raketa të Rusisë një shenjë dobësie, duke treguar se presidentit Vladimir Putin po i mbarojnë alternativat pasi forcat e tij po humbasin në fushën e betejës.

Moska, e cila e përcakton përparimin në Ukrainë si një “operacion special ushtarak” për të eliminuar nacionalistët e rrezikshëm dhe për të mbrojtur qytetarët rusishtfolës, akuzoi Perëndimin për përshkallëzimin e konfliktit përmes mbështetjes së tyre ndaj Kievit.

Ukraina akuzon Rusinë për grabitje të pajustifikuara imperialiste të tokës, tre dekada pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.   /os/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like