FOKUS – SHBA: Veprime të mëtejshme kundër sulmit kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 8 shtator /ATSH/ – Shtëpia e Bardhë paralajmëroi për “veprime të mëtejshme” kundër Iranit, ndërsa dënoi atë që e quajti një sulm kibernetik “të paprecedentë” ndaj aleatit të SHBA-së, Shqipërisë, sipas thedefensepost.com.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë fuqishëm sulmin kibernetik të Iranit ndaj aleatit tonë në NATO, Shqipërisë”, theksoi zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare Adrienne Watson duke shtuar se ”Irani duhet të mbajë përgjegjësi”.

“SHBA do të ndërmarrë veprime të mëtejshme për ta mbajtur Iranin përgjegjës për veprimet që kërcënojnë sigurinë e një aleati të SHBA-së dhe krijojnë një precedent shqetësues për hapësirën kibernetike”, shtoi ajo.

Ndërkohë, e pyetur nëse SHBA do të mbështeste një përgjigje të përbashkët të NATO-s, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre tha se ”thirrja e vetëmbrojtjes kolektive përmes Nenit 5 të aleancës transatlantike kërkon procese të shumëfishta”.

“Aleatët e NATO-s do të marrin vendimet e tyre sovrane se si t’i përgjigjen sulmeve kibernetike, përfshirë edhe Nenin 5″, theksoi ajo.

”Roli ynë është të mbështesim përpjekjet e Shqipërisë për ta mbajtur Iranin përgjegjës dhe për të punuar me Shqipërinë për të forcuar sigurinë e saj kibernetike”, theksoi Watson./   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like