FOKUS – SHBA kërkon mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për dislokimin e trupave ruse pranë kufirit ukrainas

by admin
Spread the love



NJU JORK, 28 janar /ATSH-DPA/ – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të diskutuar rreth grumbullimit të trupave ruse pranë kufirit ukrainas.

Ambasadorja e SHBA në OKB, Linda Thomas-Greenfield tha se SHBA-ja kishte kërkuar që një seancë publike të zhvillohej të hënën. Kjo do të ishte hera e parë që këshilli 15 anëtarësh mblidhet për të diskutuar përshkallëzimin aktual në krizën në Ukrainë.

Ajo tha se takimi kërkohet “pas javësh konsultimesh të ngushta me Ukrainën dhe partnerët në Këshillin e Sigurimit” dhe pasi “më shumë se 100 000 trupa ruse janë vendosur në kufirin ukrainas dhe se Rusia po angazhohet në akte të tjera destabilizuese që synojnë Ukrainën”.

Thomas-Greenfield u bëri thirrje anëtarëve të këshillit që të “shqyrtojnë plotësisht faktet dhe të marrin në konsideratë se çfarë është në rrezik për Ukrainën, për Rusinë, për Evropën dhe për detyrimet dhe parimet thelbësore të ligjit  ndërkombëtar nëse Rusia pushton Ukrainën”.

Duke filluar nga nëntori, SHBA dhe Evropa filluan të japin alarmin për një grumbullim të madh të trupave ruse në kufirin ukrainas, duke shkaktuar frikën se Moska po planifikonte një ofensivë ushtarake që do të përshkallëzonte në mënyrë dramatike konfliktin mes dy vendeve./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.






Artikulli paraprakPD: Rama dhe Berisha njësoj, mbrojnë të njëjtat interesa


You may also like