FOKUS – SHBA, Gjermania dhe 16 vende të tjera i kërkojnë Hamasit lirimin e pengjeve

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 25 prill /ATSH-DPA/ – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe 16 vende të tjera u kanë bërë thirrje militantëve palestinezë të Hamasit që të lirojnë menjëherë të gjithë pengjet e mbajtur në Rripin e Gazës për më shumë se 200 ditë.

Hamasi, së bashku me grupet e tjera terroriste islamike, morën peng mbi 200 persona gjatë një bastisjeje në Izrael më 7 tetor, duke vrarë mbi 1 200.

Që atëherë, Izraeli ka bombarduar Rripin e Gazës.

“Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Gaza për më shumë se 200 ditë. Këtu përfshihen edhe qytetarët tanë. Fati i pengjeve dhe popullatës civile në Gaza, të cilët mbrohen nga ligji ndërkombëtar, është një shqetësim ndërkombëtar’’, thuhet në një deklaratë të përbashkët.

“Ne theksojmë se marrëveshja në tryezë për lirimin e pengjeve do të çonte në një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm në Gaza, i cili do të lehtësonte një valë ndihme humanitare shtesë të nevojshme për t’u ofruar në të gjithë Gazën dhe do të sillte një fund të besueshëm të armiqësive’’, thuhet në deklaratë.

Udhëheqësit e Argjentinës, Austrisë, Brazilit, Bullgarisë, Kanadasë, Kolumbisë, Danimarkës, Francës, Hungarisë, Polonisë, Portugalisë, Rumanisë, Serbisë, Spanjës, Tajlandës dhe Britanisë së Madhe shkruan gjithashtu emrat e tyre.

“Ne mbështesim fuqimisht përpjekjet e vazhdueshme të ndërmjetësimit për të sjellë njerëzit tanë në shtëpi Ne përsërisim thirrjen tonë ndaj Hamasit për të liruar pengjet dhe për t’i dhënë fund kësaj krize në mënyrë që të mund të përqendrohemi kolektivisht në sjelljen e paqes dhe stabilitetit në rajon”, shton deklarata./  /os/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like