FOKUS – OKB: Rreziku bërthamor ka arritur pikën më të lartë në dekadat e fundit

by admin
Spread the love

NJU JORK, 23 gusht /ATSH-ANSA/ – Rreziku bërthamor ka arritur pikën më të lartë në dekadat e fundit, deklaroi sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në Këshillin e Sigurimit.

“Mjetet që na kanë mbajtur larg një lufte botërore katastrofike janë më të rëndësishme se kurrë, por ato duhet të jenë të përshtatshme për mjedisin e sotëm ndërkombëtar të paqes dhe sigurisë që po përkeqësohet me shpejtësi’’, shtoi ai.

Guterres u bëri thirrje vendeve që të zhvillojnë negociata për të “përfunduar një herë e përgjithmonë garën e armëve bërthamore”.

Deklaratat e tij vijnë pas vizitës së tij në Ukrainë, ku ai diskutoi për krizën në zonën e termocentralit bërthamor të Zaporizhzhia, në të cilën ripërtëritja e luftimeve midis forcave të Moskës dhe Kievit ngre frikën për një katastrofë në përmasat e asaj të Çernobilit në 1986.

Guterres bëri thirrje gjithashtu për të njëjtin angazhim ndaj dialogut që çoi në eksportin e produkteve bujqësore nga portet e Ukrainës, duke lejuar gjithashtu transportin e plehrave ruse.

“Përtëri apelin tim për të gjitha shtetet anëtare që të tregojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis në të gjitha negociatat”, theksoi sekretari i Përgjithshëm i OKB-së.   /os/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like