FOKUS – KE propozon rregulla të reja kundër ndotjes së ajrit dhe ujit

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 26 tetor /ATSH-AA/ – Komisioni Evropian (KE) ka propozuar rregulla të reja për të rritur standardet në luftën me ndotjen e ajrit dhe ujit dhe për të arritur objektivin e saj “zero ndotje”.

Në një deklaratë nga KE-ja thuhet se nivelet e përqendrimit të grimcave të rrezikshme (PM2.5) do të reduktohen në nivelin e udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Në deklaratë vihet në dukje se vlera kufi vjetore e PM2.5 do të ulet nga 25 njësi në 10 njësi.

Po ashtu thuhet se synohet të reduktohen me rreth 75 për qind vdekjet lidhur me këtë dhe se propozimet janë në përputhje me objektivin për ndotje zero që parashikon Marrëveshja e Gjelbër e Bashkimit Evropian (BE) deri në vitin 2050.

Më tej theksohet se revizionimi përkatës do të sigurojë që personat e dëmtuar nga ndotja e ajrit të marrin dëmshpërblim në rast të shkeljes së rregullave të BE-së për cilësinë e ajrit dhe do të sjellin më shumë qartësi për çështjet e informimit më të mirë publik rreth qasjes në drejtësi, ndëshkimeve efektive dhe cilësisë së ajrit.

Zëvendës presidenti i KE-së, Frans Timmermans ka thënë se “Çdo vit qindra evropianë vdesin para kohe dhe shumë të tjerë vuajnë nga sëmundjet e zemrës dhe të mushkërive ose nga kanceri lidhur me ndotjen. Sa më shumë të presim për të reduktuar këtë ndotje, aq më shumë do të ketë kosto për shoqërinë. Dëshirojmë që deri në vitin 2050 të pastrojmë mjedisin tonë nga ndotësit e dëmshëm”.

Në një deklaratë ditë më parë nga KE-ja thuhej se 47 për qind e qytetarëve në 27 vende anëtare mendojnë se cilësia e ajrit është përkeqësuar në 10 vitet e fundit ndërsa 89 për qind e tyre thonë se sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes dhe të damarëve të zemrës janë të lidhura me kushtet e këqija të ajrit.

Ndotja e ujit

Në deklaratë thuhet se edhe për luftën me ndotjen e ujit, kompanitë farmaceutike dhe të kozmetikës do të jenë përgjegjëse për një pjesë të kostos së pastrimit të ndotjes që produktet e tyre lëshojnë në ujërat e zeza në të gjithë BE-në.

Gjithashtu për të përmirësuar cilësinë e liqeneve dhe ligatinave, do të zgjerohet lista e produkteve ndotëse në ujërat nëntokësore ose sipërfaqësore si dhe do të punohet për të reduktuar limitet toksike ose të kimikateve të përhershme.

Propozimet e KE-së do të vlerësohen nga Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare dhe pasi të miratohen do të hyjnë në fuqi gradualisht për vitet 2030, 2040 dhe 2050.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like