FOKUS – JRC: Pothuajse gjysma e Evropës në rrezik nga thatësira

by admin
Spread the love

ROMË, 23 gusht /ATSH-DPA/ – Pothuajse gjysma e Evropës kërcënohet nga thatësira, sipas një raporti nga Shërbimi i Shkencës dhe Njohurisë i Komisionit Evropian (JRC).

Raporti thekson se deri më 10 gusht, 47% e territorit europian ka arritur në nivel alarmi për thatësirën, ndërsa 17% e rajoneve të anketuara janë në gatishmëri të plotë.

Studiuesit thanë se kushtet e thatësirës janë të lidhura me reshjet e ulëta dhe një seri valësh të nxehtit që nga maji e tutje që ndikuan kryesisht në rrjedhjet e lumenjve në të gjithë Evropën.

Reduktimi i vëllimit të ujit ndikoi negativisht edhe në sektorin e energjisë si për prodhimin e hidrocentraleve ashtu edhe për sistemet e ftohjes së termocentraleve të tjerë.

‘’Thatësira ka ulur ndjeshëm rendimentet për kulturat e verës, me misrin, soja dhe luledielli më të prekura, thanë studiuesit.

“Lagështia e tokës dhe stresi i bimësisë janë të prekura rëndë. Pjesa tjetër e Evropës, tashmë e goditur nga thatësira, ruan kushte të qëndrueshme të thatësirës së rëndë”, thuhet në raport, duke renditur më shumë se një duzinë vende ku rreziku i thatësirës po rritet, duke përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Britaninë.

Raporti thekson se rajonet ku kushtet po përkeqësohen më shumë janë ato të goditura tashmë nga thatësira në pranverën e vitit 2022, si Italia veriore, Franca juglindore dhe pjesë të Hungarisë dhe Rumanisë.

Studiuesit parashikojnë se kushte më të ngrohta dhe më të thata se normalja ka të ngjarë deri në nëntor në rajonin perëndimor euro-mesdhetar.   /os/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like