FOKUS – Izraeli propozon pauzë njëjavore të luftës në Gaza

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 20 dhjetor /ATSH-DPA/ – Sipas një raporti të medias, Izraeli ka ofruar të ndalojë luftimet në Gaza për të paktën një javë në negociatat për lirimin e pengjeve të tjera nga rripi.

Portali i lajmeve Axios raportoi dje, duke cituar dy zyrtarë izraelitë dhe një “burim të informuar”, se Izraeli pret që organizata militante palestineze Hamas të lirojë më shumë se 36 pengje në këmbim.

Më herët të martën, presidenti izraelit Isaac Herzog kishte hapur mundësinë e një pauze të re në luftime.

“Izraeli është gati për një tjetër pauzë humanitare dhe ndihmë shtesë humanitare për të mundësuar lirimin e pengjeve”, u tha ai diplomatëve, sipas një zëdhënësi.

”Propozimi i Izraelit për të paktën një armëpushim njëjavor në këmbim të lirimit të rreth 40 pengjeve u dorëzua përmes ndërmjetësit të Katarit”, raportoi Axios.

”Gratë e mbetura, burrat mbi 60 vjeç dhe pengjet e tjera të mbajtura ende në Gaza, të sëmurë ose të plagosur rëndë dhe që kanë nevojë urgjente për ndihmë mjekësore, do të lirohen”, tha portali i lajmeve.

”Ky ishte propozimi i parë i Izraelit që nga skadimi i një armëpushimi njëjavor muajin e kaluar”, raportoi Axios.

Gjatë atij armëpushimi u liruan 105 pengje. Në këmbim, Izraeli liroi 240 të burgosur palestinezë nga burgjet izraelite.

Mediat raportuan të hënën se shefi i Mossad-it, David Barnea po këshillonte drejtorin e CIA-s, William Burns dhe kryeministrin e Katarit, Abdulrahman Al Thani në Varshavë për negociatat e reja me Hamasin.

Hamasi, i klasifikuar si një organizatë terroriste nga Izraeli, SHBA dhe disa vende të tjera, kishte thënë më parë se nuk dëshironte të zhvillonte negociata pa fundin e armiqësive të Izraelit.

Sipas vlerësimeve izraelite, të paktën 109 pengje ende mbahen në Rripin e Gazës./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like