FOKUS – Gjermania ofron mbështetje për rindërtimin e kibuceve izraelite

by admin
Spread the love

BE’ERI (Izrael), 27 nëntor /ATSH-DPA/ – Gjermania njoftoi se do të ofrojë mbështetje financiare për rindërtimin e kibuceve* izraelite të shkatërruara nga Hamasi në sulmet terroriste të 7 tetorit.

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier tha të hënën gjatë një vizite në kibucin Be’eri, i cili ishte një nga komunitetet e shënjestruar nga militantët, se Gjermania do të sigurojë 7,0 milionë euro (7,65 milionë dollarë) vitin e ardhshëm për rindërtimin e vendit.

Paratë do të përdoren për të financuar rindërtimin e një qendre kulturore dhe një vendtakimi për të moshuarit në kibuc, i cili është vetëm pak kilometra nga kufiri me Gazën.

Steinmeier tha se shumë njerëz tashmë po mendonin të ktheheshin.

“Be’eri dhe shumë kibuci të tjerë meritojnë jo vetëm të jenë pjesë e historisë izraelite, por mbi të gjitha të jenë pjesë e së ardhmes së Izraelit”, theksoi ai.

Presidenti izraelit Isaac Herzog tha se vende të tilla do të lulëzojnë në të ardhmen.

Kibuci Be’eri, i cili u bashkëthemelua nga hebrenjtë gjermanë, u shkatërrua pothuajse plotësisht në sulmin e 7 tetorit.

Më shumë se 130 nga rreth 1 300 banorë u vranë dhe më shumë se 50 u rrëmbyen.

Banorët e mbijetuar janë akomoduar në një vend në Detin e Vdekur./ a.jor.

* Kibuci është një komunitet hebre në Izrael, që tradicionalisht bazohet në bujqësi, ndërkohë që i pari është themeluar në vitin 1910 në Degania. Sot, bujqësia është zëvendësuar pjesërisht nga degë të tjera ekonomike, përfshirë impiantet industriale dhe ndërmarrjet e teknologjisë së lartë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like