FOKUS – Estonia dhe Lituania mbështesin kandidaturën e Rutte si kreu i ardhshëm i NATO-s

by admin
Spread the love

RIGË, 2 prill /ATSH-DPA/ – Estonia dhe Lituania do të mbështesin kandidaturën e kryeministrit holandez Mark Rutte për t’u bërë sekretari i ardhshëm i përgjithshëm i NATO-s.

“Pas diskutimeve, ne jemi të sigurt se Mark Rutte është i përgatitur të marrë masa për të forcuar aleancën dhe se Estonia mund të mbështesë ambiciet e tij”, njoftoi sot Ministria e Jashtme në Talin.

Edhe kryeministrja Kaja Kallas, e cila është diskutuar si pasardhëse e mundshme e sekretarit të përgjithshëm në largim, Jens Stoltenberg, shprehu miratimin e saj për Rutte.

Në Lituani, presidenti Gitanas Nauseda tha pas një takimi me Rutte në Vilnius se holandezi ishte një nga politikanët që njohu kërcënimin e paraqitur nga Rusia që herët dhe që ndryshoi rrënjësisht qëndrimin e tij ndaj Rusisë.

“Rutte ishte gjithashtu i ndjeshëm dhe i kuptueshëm ndaj kërcënimeve me të cilat përballej krahu lindor i NATO-s”, tha Nauseda.

Rutte ka nevojë për miratimin e të 32 anëtarëve të NATO-s në mënyrë që të emërohet sekretar i përgjithshëm i aleancës.

Ai tani mund të ketë mbështetjen e 28 shteteve të aleancës, megjithëse Hungaria dhe Rumania, ndër të tjera, nuk pritet të jenë mbështetëse të Rutte, i cili mbështetet kryesisht nga SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Gjermania.

Presidenti i Rumanisë Klaus Iohannis kandidon gjithashtu për këtë post.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like