FOKUS – BERZH rrit me katër miliardë euro investimet në Ukrainë

by admin
Spread the love

LONDËR, 19 dhjetor /ATSH-AFP/ – Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) njoftoi sot një rritje të kapitalit prej katër miliardë eurosh, e cila do të lejojë dukshëm investime të rëndësishme dhe të qëndrueshme në ekonominë reale të Ukrainës.

”Guvernatorët e institucionit miratuan një rezolutë që synon rritjen e kapitalit të kontribuar të bankës me katër miliardë euro, duke e çuar kështu bazën e saj kapitale në 34 miliardë euro”, njoftoi BERZH në një deklaratë për shtyp.

”Kapitali shtesë do të shërbejë për të siguruar investime të konsiderueshme dhe të qëndrueshme në ekonominë reale të Ukrainës, si në kohë lufte ashtu edhe në kohë rindërtimi, por gjithashtu “do të ndihmojë në mbështetjen e prioriteteve të BERZH-it në të gjitha ekonomitë ku ajo operon”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Kjo është rritja e tretë e kapitalit në historinë e BERZH-it, pas dy të tjerave në 1996 dhe 2010.

Operacioni i financuar nga shtetet anëtare do të hyjë në fuqi më 31 dhjetor 2024.

I themeluar në vitin 1991 për të ndihmuar vendet e ish-bllokut sovjetik të kalojnë në një ekonomi tregu, institucioni që atëherë ka zgjeruar fushën e tij për të përfshirë vendet në Lindjen e Mesme, Azinë Qendrore dhe Afrikën e Veriut.

Iraku është vendi i fundit që u bë aksioner i BERZH muajin e kaluar, duke e çuar totalin në 72 shtete, përveç Bashkimit Evropian dhe Bankës Evropiane të Investimeve./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like