FOKUS – Ankaraja dhe Londra thirrje urgjente për zgjidhjen e krizës së grurit

by admin
Spread the love

STAMBOLL, 23 qershor /ATSH-DPA/ – Diplomatët britanikë dhe turq paralajmëruan për pasoja shkatërruese nëse nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë për krizën e vazhdueshme të grurit në Detin e Zi për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

“Kjo krizë e grurit është urgjente dhe duhet të zgjidhet brenda muajit të ardhshëm, përndryshe mund të hasim pasoja shkatërruese,” u tha gazetarëve ministrja e Jashtme britanike, Liz Truss, së bashku me homologun e saj turk, Mevlut Çavusoglu, në Ankara.

”Rusia po armatos urinë dhe po përdor sigurinë ushqimore si një instrument të luftës”, akuzoi Truss, duke shtuar se ”Britania e Madhe dhe Turqia po punojnë së bashku për të marrë drithë nga Ukraina”.

Vërejtjet erdhën disa orë pas raporteve se sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres mund të takohet së shpejti me përfaqësuesit e Rusisë dhe Ukrainës në Turqi në një përpjekje për të siguruar eksportin e grurit ukrainas nga portet e vendit të Detit të Zi.

Pushtimi rus i Ukrainës, i cili filloi në fund të shkurtit, ndërpreu dërgesat e grurit në tregje, duke çuar në një rritje globale të çmimeve të ushqimeve.

Për javë të tëra, komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Moska që të lejojë eksportin e grurit ukrainas.

Të dy vendet janë ndër eksportuesit më të mëdhenj të grurit në botë dhe luajnë një rol kyç në sigurimin e sigurisë globale të ushqimit./    /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like