Flet Ilirjan Celibashi: Zgjedhjet në Vorë do përfundojnë pa komisionerë të PD

by admin
Spread the love

Zgjedhjet në Vorë, mund të përfundojnë edhe pa komisionerë të Partisë Demokratike në Vorë, shprehet Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet Ilirjan Celibashi, kur u pyet pas shqetësimeve të raportuara nga Partia Demokratike.

“Nëse është kjo situatë kështu do të përfundojnë dhe do të jenë ata anëtarë që janë prezentë që do ta përfundojnë procesin e votimit”, tha ai, teksa shtoi që rezultati i Vorës do të dalë sapo të mbyllet procesi i votimit.

Ai konfirmoi edhe takimin me deputeten demokrate, Jorida Tabaku në Vorë, e cila e njohu me shqetësimet e Partisë Demokratike.

“Ajo rikonfirmoi shqetësimet e prezantuara edhe nga përfaqësuesi i PD-së në KQZ. E para me mospasjen e anëtarëve të KQZ-së së propozuar nga ana e tyre për arsye që i kemi thënë, shqetësimi i fundit ishte se në disa QV janë emëruar kryetarë, përfaqësues të subjekteve të tjera zgjedhore. KZAZ-ja konfirmoi që nuk ka vendim të tillë. M’u tha që përmes telefonit u është bërë e ditur se mund ta ushtrojnë funksionin e kryetarit. KZAZ më njoftoi se një situatë e tillë ka qenë më parë, por tashmë nuk ka asnjë kryetar të tillë. Dhe kjo ngelet për t’u verifikuar”.

Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi, ka mbërritur në Vorë, për të ndjekur nga afër procesin e votimit për kryetar bashkie, pas problematikave të shfaqura që prej mëngjesit të sotëm, duke nisur që nga anëtarët e komisioneve në Qendrat e Votimit, te votimi familjar, që pretendon Partia Demokratike.

Kjo e fundit ka shpërndarë edhe një foto nga votimi familjar në qendrën e votimit 1554 në Vorë.

“I rikujtoj të gjitha palëve të përfshira në zgjedhjet e 6 marsit se deri në mbylljen e procesit të votimit jemi në kushtet e heshtjes zgjedhore. Çdo thirrje tjetër politike drejt zgjedhësve përveç atyre për pjesëmarrje në votime, është në kundërshtim me dispozitat e Kodit Zgjedhor. Mirëpresim çdo angazhim nga subjektet zgjedhore në miradministrimin e procesit”, tha Celibashi./Syri tv

You may also like