“Fitojmë Champions-in dhe Bundesligën”, Kejn: Luaj deri 40-vjeç, trajneri Tuhel fenomenal

by admin
Spread the love

Pas gjysmës së parë të se zonit Herri Kejn ka lënë me “gisht në gojë” jo vetëm tifozët e Bajernit, por gjithë dashamirësit e futbollit në Europë e më gjerë. Asnjë sulmues në ligat elitare të kontinentit të vjetër nuk e ka tundur rrejtën mike më tepër se Herri, plotë 22 herë përgjatë 16 javëve.

Kjo e dhënë e barazon aktualisht me statistikën më të lartë të Robert Levandovskit pas pjesës së parë të sezonit, megjithatë Kejni ka edhe një ndeshje në dispozicion për të përmirësuar kuotën e mësipërme. Në një prononcim për prestigjiozen gjermane “Kicker”, ai ka folur shumëçka, nga diferenca mes Bundesligës dhe Premier Ligës, te fjalët plot “mjaltë” për Tomas Tuhel, deri te mosha e “pensionimit” në futbollin aktiv.

NDRYSHIMI I LIGAVE-

“Në kampionatin anglez kam shpenzuar shumë vite dhe e njoh deri në detaje. Bundesliga nga krahu tjetër është eksperiencë e re, të cilën po e shijoj në maksimum. Nëse i vendos ndërmjet tyre, secila ka veçoritë e saj. Konkretisht, në Angli futbolli është më dinamik, është e vështirë të krijosh të çara në zonën mike. Kurse Bundesliga mbart filozofinë e ndërtimit të lojës nga mbrapa. Zgjerimi i skuadrave në fushën e blertë bën të mundur edhe lënien e hapësirave në prapavijë. Ama atmosfera që krijojnë tifozët gjermanë është më lartë sesa atmosfera e atyre anglezë. Të motivon akoma më tepër të japësh më të mirën në fushë”, tha Herri.

TAKTIKAT E TUHELIT-

“Trajneri ynë ka ide të shkëlqyera. Prej merkatos së verës së vitit 2023 dhe deri në këtë pikë jam shumë i kënaqur me punën në ekip. Ai e di se cilat janë pikat e mia të forta dhe përpiqet të ma bëjë detyrën më të lehtë në ndërtimin e manovrave sulmues. Rezultatet janë aty, prandaj fjalët do të ishin te tepërta në këtë rast. Energjia e Tuhelit mbart në vetvete pasion, i cili transmetohet në seancat stërvitore, dhomat e zhveshjes dhe udhëzimet nga pankina. Më pëlqen të dëgjoj me tepër kureshtje udhëzimet e tij, pasi ia njoh vlerat dhe kontributin si trajner. Por kjo nuk është e gjitha, ne ndajmë edhe mendime rreth jetës së përditshme si dy miq të mirë”, vijoi me vlerësimin për “timonierin” e bavarezëve, Tomas Tuhel.

OBJEKTIVAT-

“Ndodhemi 4 pikë pas Leverkusenit në kampionat, por me një ndeshje më pak. Ata po zhvillojnë një sezon perfekt, por me kalimin e javëve gara do të ndizet dhe ekipi që do gabojë më pak do marrë titullin. Qëllim ynë është i qartë, suksesi në Bundesligë dhe Ligën e Kampionëve. Sigurisht nuk do të jetë e lehtë, megjithatë uria e grupit dhe potenciali në gjirin tonë më bën të besoj se mund t’ia dalim pa problem”.

PENSIONIMI-

“Dua të luaj futboll për aq kohë sa trupi dhe mendja më lejon. Po e shijoj jo vetëm zhvendosjen, njëkohësisht edhe arritjet brenda një kohe tepër të shkurtër këtu në Mynih. Ndoshta mund të vozis me topin në këmbë si profesionist deri në moshën 40- vjeçare”, u shpreh me nota optimiste futbollisti me numër “9” në “Allianz Arena”.

PAS TËRHEQJES-

“Gëzoj simpati të veçantë ndaj SHBA-së, si në stilin e jetës, ashtu edhe në lojërat e ndryshme që ata i identifikojnë. Mes tyre është NFL (futbolli amerikan). Mbase mund të jem pjesë e këtij sporti pas largimit nga profesioni aktual. Kam dëgjuar plot raste kur lojtarë me emër kanë zotëruar detyrën e trajnerit. Nëse e shikoj në planin personal, nuk më ngjit si ide”, përfundoi Herri Kejn.

Trajneri i Bajernit, Tuhel: Kejn si peshkaqen, nuk njeh kufij

Tomas Tuhel e ka ngritur në piedestal kontributin e sulmuesit Herri Kejn në gjirin e bavarezëve pas gjysmës së parë të sezonit. Madje, trajneri 50-vjeçar u shpreh besimplotë se rekordi i Levës në Bundesligë është në rrezik serioz: “Padyshim që shifrat e çmendura të Levës në kampionat prej 41 golash janë në kërcënim prej Kejnit.

Rrugëtimi është ende i gjatë deri në arritjen e kuotës së finalizimeve nga polaku, por nëse skuadra vazhdon me këtë ritëm gjithçka është e mundur. E konsideroj si një peshkaqen që nuk njeh limite. Ndihem i privilegjuar dhe i përulur të jem trajneri i një lojtari të kalibrit kaq të lartë. Zbret i pari në qendrën stërvitore, shembull perfekt. Prania e Kejnit në fushë jep shenjat e duhura te pjesa tjetër e ekipit”, tha Tomas Tuhel për “ESPN”.

Përgatiti: SAIMIR MBËRSI- PANORAMASPORT.AL

You may also like