Firmoset marrëveshja e grurit, “kumbari” Erdogan: Shmangëm urinë për miliona njerëz

by admin
Spread the love

Ukraina dhe Rusia kanë nënshkruar zyrtarisht marrëveshjen që do të lejojë eksportin e grurit nga portet në Detin e Zi. Marrëveshja u firmos nga delegacionet e të dy vendeve në Stamboll këtë të premte, pas muajsh negociata të ndërmjetësuara nga Turqia dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Sipas marrëveshjes, Ukraina do të rifillojë të eksportojë grurin, diçka që deri tani nuk ishte lejuar ta bënte nga ushtria ruse, që ka pushtuar vendin prej datës 24 shkurt. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 20 milionë tonë grurë kishin mbetur të bllokuara në Ukrainë, ndërkohë që sezoni i korrjeve është në pikun e tij.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha se marrëveshja do të shmangë rrezikun e urisë. “Miliona njerëz do të lehtësohen nga rreziku i urisë”, tha Erdogan. “Në ditët e ardhshme, do të nisë edhe kalimi i anijeve dhe shumë shtete do të mund të marrin frymë lirisht”.

Detajet e marrëveshjes

-Anijet do të mund të kalojnë përmes një korridori të sigurt, për të cilin është rënë dakord. Ato më pas do të kalojnë në Bosfor për të arritur në tregjet botërore.

-Anijet do të monitorohen nga një Qendër e Përbashkët Koordinimi, e ngritur me përfaqësues të Ukrainës, Rusisë, Turqisë dhe OKB-së.

-Anijet do të inspektohen para se të mbërrijnë në Ukrainë nga zyrtarë ukrainas, rusë, turq dhe të OKB-së, për t’u siguruar që nuk kanë armë.

-Ukraina dhe Rusia kanë rënë dakord të mos sulmojnë anijet që identifikohen si pjesë e kësaj nisme të përbashkët.

-Lundrimet do të koordinohen me përfaqësues të Organizatës Ndërkombëtare Detare.

Marrëveshja është e vlefshme për 120 ditë nga data e nënshkrimit dhe mund të zgjatet për po kaq ditë, nëse asnjë nga palët nuk deklaron se dëshiron ta ndërpresë.

You may also like