FFK-ja me buxhet mbi 20 milionë euro për vitin 2024

by admin
Spread the love

Në kuvendin e punës të Federatës së Futbollit të Kosovës është miratuar raporti i punës dhe ai financiar për vitin 2023. Po ashtu, është miratuar edhe buxheti financiar për vitin 2024. Ky buxhet do të ketë një rritje prej një milion eurosh më shumë krahasuar më vitin e shkuar. Pra, buxheti financiar i FFK-së për këtë vit, do të jetë gati 21 milionë euro.

Të gjitha këto të hyra në FFK do të vijnë prej kontratave me sponsorët, pastaj UEFA e FIFA si dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Vetëm vitin e shkuar, FFK-ja shpenzoi mbi 18 milionë euro. Projektbuxheti i këtij viti u miratua nga të gjithë delegatët e pranishëm në kuvendin e rregullt të punës, i cili u mbajt të martën në selinë e FFK-së.

Në fakt, para buxhetit financiar, delegatët e pranishëm, votuan unanimisht është raportin e punës dhe atë financiar për vitin e shkuar. Në këtë kuvend të rregullt pune ishin të pranishëm 48 delegatë, ndërsa pati edhe përfaqësues të UEFA-s dhe FIFA-s. Kreu I FFK-së, Agim Ademi në fillim të kuvendit shpalosi punën e bërë gjatë vitit 2023, duke përmendur masovizimin e futbollit në vend, përmirësimin e infrastrukturës, ngritjen e cilësisë së garave dhe realizimin e projekteve.

Gjithashtu, u miratua edhe procesverbali i Kuvendit të kaluar, si dhe propozimi i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së për anëtarët e Komisionit Zgjedhor, organeve gjyqësore dhe Kodi Zgjedhor. Në fund të punimeve të kuvendit, kryetari i FFK-së, Ademi iu drejtua edhe një herë delegatëve, të cilët i falënderoi për besimin, konstruktivitetin dhe përkushtimin e tyre ndaj futbollit.

Edhe këtë herë, ky kuvend i FFK-së, u mbajt pa praninë e medieve. Kjo është hera e dytë rresht që kuvendi i rregullt i punës transmetohet direkt në kanalin zyrtar të FFK-së në “Youtube”.

 

You may also like