Ferrari, vit rekord në 2021, fitime 833 milionë euro –

by admin
Spread the love

Ferrari njoftoi sot rezultatet paraprake të konsoliduara në lidhje me 3-mujorin e katërt dhe 12-mujorin, të mbyllur më 31 dhjetor 2021.

Shoqëria e mbylli vitin e kaluar me të ardhura në rritje, në 4.2 miliardë euro (krahasuar me 3.4 miliardë euro në 2020-n) dhe fitim neto në 833 milionë euro (609 milionë në 2020-n).

Makinat e dorëzuara

Në vitin 2021, makinat e dorëzuara arritën në 11.555 njësi, me rritje prej 2.036 njësi, ose 22.3% krahasuar me vitin e kaluar. Shitjet e modeleve me 8 cilindra (V8) u rritën me 34.6%, ndërkohë që shitjet e modeleve me 12 cilindra (V12) regjistruan rënie prej 16.1% kryesisht për shkak të vëllimeve më të ulëta të 812 Superfast, i cili doli nga prodhimi gjatë vitit.

Dërgesat e vitit të kaluar u drejtuan nga modeli F8 së bashku me Ferrari Roma dhe SF90 Stradale, që arritën shpërndarje globale. Dërgesat e Ferrari Portofino M dhe SF90 Spider u përshpejtuan gjatë vitit. Dërgesat e Ferrari Monza SP1 dhe SP2 u rritën krahasuar me një vit më parë.

Të gjithë rajonet gjeografike regjistruan rritje dyshifrore. Rajoni EMEA regjistroi rritje 14.0%; Amerika e Veriut dhe Jugut, 21.8%; pjesa tjetër e APAC u rrit me 27.2%, kurse Kina Kontinentale, Hong Kongu dhe Tajvani pothuajse u dyfishuan (+97,1%), në krahasim me vitin e kaluar.

Të ardhurat

Siç u tha më sipër, në vitin 2021 të ardhurat neto arritën në 4.271 miliardë euro, në rritje me 26% me kurs konstant këmbimi. Të ardhurat nga “Automjetet dhe pjesë këmbimi” ishin 3.573 miliardë euro, falë rritjes së vëllimit dhe pasurimit të ndërthurjes së produkteve, të cilave u shtohet kontributi pozitiv i personalizimeve.

Rritja e të ardhurave nga “motorët” (189 milionë euro, në rritje me 25.7%) lidhet me shtimin e dërgesave të Maserati, dhe, në një masë më të vogël, furnizimin me motorë për skuderitë e tjera të Formula 1.

Të ardhurat nga sponsorët, të ardhurat tregtare dhe ato që lidhen me markën arritën në 431 milionë euro, kryesisht falë kalendarit më të favorshëm të Formula 1 dhe aktiviteteve të lidhura me markën.

Kostot

Kostot industriale dhe ato për kërkim e zhvillim regjistruan rritje 65 milionë euro, kryesisht për shkak të rritjes së amortizimit, shpenzimeve të lidhura me inovacionin e gamës së produkteve dhe aktiviteteve të Formula 1, pa stimuj publikë për investimet në teknologji, si dhe shpenzimet që lidhen me fillimin.

Rritja prej 14 milionësh eurosh në zërin SG&A reflekton kryesisht aktivitetet e komunikimit dhe marketingut për prezantimin e makinave të reja dhe eventet lifestyle, si dhe aktivitete në mbështetje të zhvillimit organizativ të Shoqërisë.

Komenti i CEO-s, Benedetto Vigna

“Rezultatet financiare rekord të vitit 2021 tregojnë, edhe një herë, fuqinë e modelit tonë të biznesit. Ne menaxhuam me kujdes një mori udhëzimesh, në përputhje me strategjinë tonë, e cila synon të ndjekë rritjen e kontrolluar dhe të ruajë ekskluzivitetin e markës” – komentoi CEO i Ferrari-t, Benedetto Vigna.


Monitor sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Monitor “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit original.

You may also like