Fatmir Limaj paralajmëron riaktivizim, i kemi dhënë një vit kohë Qeverisë

by admin
Spread the love

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në një
intervistë për Ekonomia Online ka thënë se si opozitë janë duke vëzhguar çdo
ditë zhvillimet në vend, por ka shtuar se natyra e tyre e opozitarizmit nuk
është të bëjnë “zhurmë”.

Limaj konsideron se ka qenë e nevojshme që Qeverisë Kurti
t’i jepet pak kohë. Por, sipas tij, një vit ka qenë i mjaftueshëm për të parë
sjelljen e kësaj qeverie.

Ai tani paralajmëron se Nisma, e cila mbeti jashtë
Kuvendit, në zgjedhjet e fundit parlamentare, do “të ndezë motorët” dhe do të
aktualizojë tema të rëndësishme.

Kreu i Nismës thekson se kishte shpresuar se Vetëvendosje,
e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 fitoi mbi 50 për qind të votave, do të hiqte
dorë nga disa qëndrime të gabuara në të kaluarën. Por lë të kuptohet se kjo nuk
ka ndodhur.

“Ne duam të qeverisë shteti, jo qeveria antishtet. Duam
qeveri që respekton historinë e vet”, shprehet Limaj.

Ai nuk është i kënaqur as me opozitën në Parlament, të cilën
e cilëson si zhurmuese.

“Ne jemi shumë aktivë. Ne kemi një përvojë politike në këtë
vend. Ne respektojmë vullnetin e qytetarëve. Ne nuk vrapojmë për të zhurmuar e
piskatur. Ne kemi vëzhguar çdo ditë zhvillimet në vendin tonë. Edhe atë ditë
kur nuk merrem me politikë, unë jam i shqetësuar dhe vëzhgoj e përcjell
interesat e vendit tim. Përderisa kam energji, shëndet e frymë, për asnjë sekondë
unë nuk heqë dorë nga interesimi për zhvillimin në vendin tim”.

“Por, si opozitë tani ne i kemi dhënë kohë kësaj qeverie
dhe e kemi përcjellë hap pas hapi. Ndoshta natyra jonë e opozitarizmit nuk është
sikur të tjerët që çdo ditë të bëjmë zhurmë. Besoj që kjo hapësirë duhet t’i jepet
qeverisë”, ka thënë Limaj.

Sipas tij, Nisma do të vazhdojë të jetë zëri i arsyes siç
kanë qenë në parlament e qeverisje, duke lënë rrugë të hapur për të
bashkëpunuar me secilin subjekt që është i interesuar për tema të ndryshme. “Por
nuk do të kursehemi për të kundërshtuar veprimet e pamatura”.

Tutje, ai tha se opozita parlamentare duhet të jetë e
koordinuar, aktive dhe argumentuese.

“Ajo çka ne duhet të bëjmë është të ngrisim zërin për
temat aktuale. Shpresoj që opozita parlamentare të reflektojë dhe të jetë e koordinuar,
aktive dhe argumentuese e jo zhurmuese, gjë që deri më tani nuk e kemi parë. Jo
një opozitë hipokrite, por opozitë e vendosur në qëndrimet e veta”.

Sipas Limajt, një pjesë të përgjegjësisë për dështimet që po ndodhin në shumë fusha do ta ketë edhe opozita parlamentare nëse vazhdon të sillet kështu.

You may also like