Fakte dhe opinione – Shqip

by admin
Spread the love

Tashmë e dimë mirë se të gjithë sistemet e informacionit, platformat, algoritmet dhe të dhënat nuk janë asnjëherë të paanshme. Që do të thotë se konfigurimet që u bëhen algoritmeve dhe platformave janë një pasqyrim i strukturës së gjerë shoqërore. Njerëzit pra, shoqëria, algoritmet, të dhënat, platformat e kështu me radhë nuk mund të shihen të ndarë nga njëri tjetri. Njerëzit u japin kuptim platformave dhe algoritmeve, për shkak të mënyrave të ndryshme me të cilat i përdorin. Platformat dhe algoritmet e tyre jo vetëm ndikojnë mbi njerëzit, por përmes ndërveprimeve me këto sisteme, edhe njerëzit i ndryshonë ato. Fragmentimi, individualizimi dhe elementi emocional janë pjesë integrale të mënyrës se si funksionojnë këto sisteme. Por nga ana tjetër, besimi në dijen publike kërkon metoda që ndahen dhe pranohen nga të gjithë, për prodhimin, sfidimin dhe miratimin e njohurive. Gjëra të cilat fragmentimi i pengon.

Fakte dhe opinione

Në një tekst të botuar në revistën Nju Jorker në vitin 1960, filozofja Hana Arendt shkruan se “e vërteta faktike, nëse ndodh që të bjerë ndesh me përfitimet apo kënaqësinë e një grupi të caktuar, përballet sot me më shumë armiqësi se sa kurrë më parë”. Si rezultat, thotë ajo, faktet shpesh herë ideologjizohen, dhe në këtë mënyrë ata shndërrohen në opinione, ose për të përdorur një term më bashkëkohor, në “fakte alternative”, një term i cili u bë shumë popullor prej ish këshilltarit të Donald Trumpit.

Për këto opinione, më pas mund të ketë debate legjitime. Që do të thotë se fshirja në mënyrë strategjike e vijës ndarëse mes fakteve dhe opinioneve është një lëvizje politike që ka kuptim. Ajo mundëson shndërrimin e fakteve në opinione, të cilat më pas mund të paraqiten si informacione të negociueshme, dhe të qarkullojnë në mënyrë të cilat janë kollaj të zmadhueshme dhe të politizueshme. Sipas Arendt, “opinionet që nuk janë të mirëpritura mund të debatohen, të refuzohen, mund të bëhet kompromis me to, por faktet jo të mirëpritura kanë një kokëfortësi zemëruese, të cilës asgjë nuk mund t’i bëjë gjë përveç gënjeshtrave”.

Opinionet nuk janë thjesht më të kollajta për t’u vënë në diskutim. Debatimi i tyre është legjitim dhe është ai që pritet në hapësirën politike. Opinionet nuk mund të kategorizohen si të vërtetë apo të rremë. Ato mund të jenë vetëm më shumë apo më pak popullore, më shumë apo më pak të mbështetura ndër grupe të ndryshme shoqërore.

E vërteta është se logjika tregtare e informacionit të algoritmeve kontrobuon për transformimin e fakteve në opinione, dhe si pasojë edhe në prodhimin masiv në rrjet të politizimit të fakteve. Donald Trump, presidenca e të cilit përkoi edhe me pandeminë e Covid 19, është bërë shembulli parësor i kësaj lloj lëvizjeje.

Gjithçka u shndërrua në çështje opinioni, ose të paktën informacioni të paqartë e si pasojë, të injorueshëm nga të tjerët: ndryshimi i klimës, integriteti seksual, trajtimet mjekësore e kështu me radhë. Megjithatë, kur u përpoq që të delegjitimonte rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, Trump shkoi më tej. Shifrat legjitime që konfirmonin humbjen e tij në zgjedhjet presidenciale u sfoiduan jo vetëm në një mënyrë që sistemi e bën gjithmonë, por ato edhe u transformuan për të mbështetur një tjetër fakt, që ishte fakti i komplotit dhe “mashtrimit” të madh. Vetëm atëherë, saktësia e rezultatit të zgjedhjeve mund të vihej në dyshim, dhe një fakt i ri mund të hidhej në qarkullim përmes përsëritjes në media të ndryshme sociale. Kjo gënjeshtër – e cila binte ndesh me të gjitha provat empirike – ishte kaq e vështirë që të mbante, saqë, për të huazuar fjalët e Arendt 50 vjet më parë:

“nëse gënjeshtrat moderne politike janë kaq të mëdha, sa të kërkojnë një ribërje totale të të gjithë strukturës së fakteve – deri në krijimin e një realiteti të ri, në të cilin këto fakte rrijnë pa probleme e pa “krisje” – atëherë çfarë i pengon këto lajme, fotografi apo jo-fakte që të bëhen një zëvendësues i përshtatshëm i realitetit dhe fakteve?”

Presidenca e Donald Trumpit – e mbuluar në detaje në të gjithë globin – e bëri më të dukshme dhe më të prekshme këtë ribërje të strukturës së fakteve. Ajo u bë pjesë e komenteve politike në media dhe në jetën e përditshme. Gënjeshtrat dhe gjysmë gënjeshtrat, ose faktet alternative dhe paqartësitë, ofroheshin vazhdimisht nëpër mediat sociale, sidomos në Tëitter. Atje, në fund të mandatit të tij dhe para se të përjashtohej prej platformës, Trumpi kishte 90 milion ndjekës.

Presidenti i 45 i SHBA nuk është i vetmi shembull që ka politizuar faktet në këtë mënyrë dhe Amerika nuk është i vetmi vend ku kjo ndodh. Mund të identifikohen shumë shembuj të tjerë, për çështje si shkenca e klimës, shëndeti riprodhues dhe seksual, diskriminimi strukturor i komuniteteve që kanë qenë historikisht të shtypura dhe të përjashtuara, reagimet e shëndetit publik ndaj krizave, dhe si paraqiten në mediat sociale tregtia e skllevërve, kolonizimi dhe Holokausti.

Infrastruktura e sotme e informacionit – ashtu siç ekziston në platforma, në media sociale, në motorrë kërkimi dhe sisteme të ndryshme rekomandimi – ka prirjen të krijojë dhe zmadhojë këtë politizim të informacionit përmes përforcimit algoritmik, duke mundësuar kështu amplifikimin e përmbajtjes, e cila tërheq emocione, angazhim dhe jo më pak, zemërim.

Studime mbi median, si për shembull ai i studiuesit Richard Rogers, kanë treguar se media sociale ka një tendencë konstante për ta vënë skajin në qendër dhe qendrën në skaje. Dhe kjo tendencë është e nxitur prej parimeve të tregut në pothuaj të gjitha nivelet. Dhe teksa gjen zbatim në të gjitha format e informacionit dhe të dijes, ajo ka pasoja të mëdha për mënyrën se si informacioni prodhohet, gjykohet dhe verifikohet.

Parimi kryesor për dukshmërinë dhe shtrirjen e mediave sociale, sistemeve të rekomandimit dhe motorrëve të kërkimit është popullariteti. Ka dhe të tjera dimensione, por duke qenë se monetizimi dhe reklamat kërkojnë një shtrirje sa më të gjerë, theksi më i madh vihet mbi popullaritetin.

Dukshmëria në mediat sociale varet nga ndërveprimet dhe angazhimi. Ky parim gjen vend edhe tek motorrët e kërkimit. Eshtë bërë një krahasim mes agjencive publike të informimit dhe faqeve që përhapnin dezinformata, dhe u gjet se këto të fundit tërhiqnin disa herë më shumë ndërveprime mes njerëzve, se sa ato të OBSH, Qendrës Evropiane për Kontrollin e Sëmun djeve, dhe asaj amerikane. I njëjti studim gjeti 42 “superpërhapës” të dezinformimit në Facebook.

Siç duket, dezinformimi dhe teoritë konspirative janë përgjithësisht më të përshtatshme për krijim ndërveprimesh online mes njerëzve, ose më e pakta ato prodhohen dhe përshtaten në mënyrë më efektive, për këtë qëkllim. Ose për të cituar Hayekun, këto ecin më mirë në tregun e ideve.

Pra emocionalizimi i informacionit, që sot identifikohet si një anë e rëndësishme e krizës së informimit, duhet të kuptohet përmes kësaj idesë që tregjet i japin formë informacionit dhe dijes, duke i vënë përballë njëra-tjetrës.

Mjetet e matjes së fakteve, besueshmërisë vihen gjithnjë e më shumë në punë, në një terren ndjenjash dhe ambiguitetesh. Dhe ato bëhen gjithnjë e më joefektive dhe jofunksionale. Sociologia Noortje Marres e quan këtë “krizë e provave publike” dhe karakterit të mediave sociale, të cilat qëllim kryesor nuk kanë të vërtetën, por krijimin e modeleve për të monetizuar dhe fituar. Prandaj, thotë ajo, “digjitalizimi po sfidon jo vetëm statusin e fakteve në diskursin publik, por ai po dëmton edhe arkitekturën institucionale mbi të cilën ngrihet përgjegjshmëria dhe llogaridhënia mbi prova empirike në hapësirën shoqërore”. (TruthHub – Bota.al)

Burimi: Paradokset e Edukimit Mediatik dhe të Informimit

Juta Heider

You may also like