F1 – Lewis Hamilton do t’i bashkohet Ferrarit në vitin 2025

by admin
Spread the love

LONDER, 1 shkurt /ATSH-AA/ – Kampioni i shtatëfishtë i Formula 1, Lewis Hamilton, do t’i bashkohet skuadrës së Ferrarit në vitin 2025.

“Scuderia Ferrari ka kënaqësinë të njoftojë se Lewis Hamilton do t’i bashkohet skuadrës në vitin 2025, me një kontratë shumëvjeçare”, njoftoi ekipi garues Italian në X.

39-vjeçari Hamilton ka garuar për ekipin Mercedes-AMG PETRONAS F1 që nga sezoni 2013, ku ka fituar gjashtë nga shtatë titujt e tij në F1.

Për herë të fundit ai fitoi titullin botëror në F1 në vitin 2020.

“Kam kaluar 11 vite të mrekullueshme me këtë ekip dhe jam shumë krenar për atë që kemi arritur së bashku. Mercedes ka qenë pjesë e jetës sime që kur isha 13 vjeç. Është një vend ku jam rritur, kështu që vendimi për t’u larguar ishte një nga vendimet më të vështira që më është dashur të marr ndonjëherë”, tha Hamilton, duke shtuar se është “koha e duhur” për t’u larguar.

“Jam i emocionuar që do të ndërmarr një sfidë të re”, shtoi ai.

Hamilton falënderoi Mercedes-in për “mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme” dhe u zotua të bëjë më të mirën në sezonin 2024 që do të fillojë më 2 mars në Bahrein.

“Unë dua të përfundoj në një nivel të lartë së bashku. Jam 100 për qind i përkushtuar për të dhënë performancën më të mirë që mundem këtë sezon dhe për ta bërë vitin tim të fundit me Shigjetat e Argjendta (Mercedes), një vit për t’u mbajtur mend”, shtoi ai.

Hamilton do të bashkohet me Charles Leclerc në skuadrën e Ferrarit në 2025 pasi piloti nga Monaco ka zgjatur së fundmi marrëveshjen e tij me ekipin.

Shoku aktual i skuadrës së Leclerc, Carlos Sainz, njoftoi se do të largohet nga Ferrari në fund të vitit 2024.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like