Etika e gazetarisë dhe informimi objektiv

by admin
Spread the love

Metin Izeti

Në botën moderne, etika e njerëzve testohet dhe vihet në dyshim çdo ditë, dhe e njëjta gjë ndodh me gazetarinë moderne dhe etikën e gazetarëve. Kriza e etikës është para së gjithash një krizë e gazetarit si subjekt, për arsye se është ai që në ditët e sotme e quan detyrën e tij si pushtim i privatësisë së të tjerëve. Ne e konsiderojmë subjektin si themel, e kuptojmë si bartës të veprimit dhe është pikërisht ky themel që po ndryshon në gazetarinë moderne. Pronarët e mediave, reklamuesit, burimet e informacionit dhe të tjerët vendosin gjithnjë e më shpesh, kryesisht në mënyrë të fshehtë në shikim të parë, se për çfarë duhet të paraqesin gazetarët, në përputhje me aftësitë e tyre profesionale. Gazetari si subjekt po zhduket gjithnjë e më shumë, vendin e tij në proceset e realizimit të lajmit mediatik e zënë strukturat impersonale të pushtetit, pronarët e kapitalit dhe pushtetarët. Shumica e aktiviteteve të gazetarëve sot mund të karakterizohen si përpunim pasiv i informacionit. Gazetarët po u shërbejnë interesave të pronarëve të mediave, reklamuesve dhe të tjerëve, ata po bëhen gjithnjë e më shumë “vendimmarrës, në vend të vendimmarrësve”.
Etika në gazetari është pjesë e etikës së aplikuar, prandaj çdo formë e mohimit të së drejtës së qytetarëve për informim është e papranueshme. Etika civile kërkon që ne t’i trajtojmë të gjithë personat në mënyrë korrekte. Diskriminimi ndaj disa njerëzve dhe diskriminimi në favor të disa njerëzve janë ngjashem të gabuara.
Media është një pjesë shumë e rëndësishme e jetës së njeriut modern. Sot, shumë njerëz, veçanërisht të rinjtë, kalojnë më shumë kohë në rrjetet sociale dhe internet në përgjithësi sesa me familjen dhe miqtë e tyre. Napoleoni i quante mediat fuqinë e shtatë të botës në atë kohë dhe prej disa dekadash ne i quajmë fuqi të katërt, duke marrë parasysh ndarjen e trefishtë të pushtetit në sistemet demokratike. Çdo ditë në punën e tij gazetari ndeshet me çështje të karakterit etik, si dëmtimi i reputacionit, nderit, e drejta e autorit, falsifikimi, konflikti i interesit, cenimi i privatësisë etj. Këto probleme nuk ekzistojnë vetëm në gazetari, por edhe në shoqëri në përgjithësi. Gazetaria thjesht i përgjigjet kërkesave të tregut modern. Udhëzimet e etikës gazetareske janë: vërtetësia dhe saktësia, paanshmëria dhe ndershmëria, respektimi i personalitetit dhe privatësisë, pavarësia nga interesat individuale, përgjegjësia ndaj shoqërisë dhe të mirave shoqërore, respektimi i ligjit, morali, mirësjellja dhe shija e mirë. Besimi në kryerjen profesionale të punës është i një rëndësie të madhe. Nëse një gazetar tradhton besimin e qytetarëve një herë, ata nuk do t’i besojnë më as kur raporton me vërtetësi.

Dezinformimi si shkelje e të njerëzishmes…

Dezinformimi është shkaku më i zakonshëm i të gjitha shkeljeve të kodeve dhe rregulloreve etike në gazetari, veçanërisht kur bëhet fjalë për shpifje dhe të drejtën për një reputacion të mirë. Ai informacion i rremë që përhapet nëpër media, dhe veçanërisht në rrjetet sociale, dëmton seriozisht besueshmërinë tashmë të kërcënuar të gazetarisë. Dezinformimi është tërheqës për individët, sepse mund të tërheqë shumë klikime tek ata në një mënyrë tërheqëse dhe të paverifikuar, duke rezultuar në fitime të lehta. Gazetarë të tillë shpesh përdorin të dhëna tërësisht të fabrikuara. Qëllimi i gazetarëve të tipit të dytë, të cilët përdorin informacion të rremë dhe gjysmë informacion, është diskreditimi i një individi, grupi, organizate apo institucioni. Për më tepër, qytetarët shpesh nuk janë në gjendje të dallojnë informacionin e vërtetë nga ai i rremë, pjesërisht për shkak të njohurive të pamjaftueshme të medias dhe pjesërisht për shkak të një qasjeje sipërfaqësore ndaj lajmeve. Numri i ueb portaleve që nuk mund t’u besohet dhe numri i informacioneve të rreme eshte shume i madh dhe po rritet shumë shpejt.
Një nga format më të rrezikshme të imoralitetit dhe sjelljes joetike është paraqitja e një gënjeshtre si të vërtetë dhe përhapja e shpifjes si thashetheme me qëllim të keq. Në traditat e lashta si dhe në librat e shenjta gënjeshtra dhe shpifja janë konsideruar më të këqija se vrasja. Prandaj, ata që prodhojnë gënjeshtra dhe përhapin shpifje në shoqëri janë më të ligë se vrasësit, kjo edhe më keq në rastet kur kjo konsiderohet si arritje e një fushe të caktuar siç është gazetaria, sepse me gënjeshtrat dhe shpifjet e tyre vrasin besimin dhe moralin, vrasin nderin dhe dinjitetin njerëzor, vrasin rimëkëmbjen dhe përparimin e shoqërisë. Kjo sëmundje nuk mund të shërohet vetëm me ligj, por duhet të shërohet edhe me të vërtetën në zemër dhe ndershmërinë në veprim, sepse ligjet nuk janë vetëm në letra , por edhe në zemra, prandaj zemra duhet të mësohet të thotë të vërtetën dhe dora te stërvitet për të punuar me ndershmëri, kështu që ligjet të respektohen vërtet. Dhe kjo është arsyeja pse fjala duhet të ketë kuptim, sepse kur fjala humbet kuptimin e saj, njerëzit humbasin lirinë e tyre.
Duke krahasuar faktet, të cilat janë bazë e çdo produkti gazetaresk, dhe interpretimin e tyre në programet dhe përmbajtjet e mjeteve të informimit masiv, padyshim që nuk mund të konstatohet se respektohen as rregullat e shprehjes gazetareske dhe as etika e fjalës publike. Dhe kjo në një situatë ku teza e gazetarisë joideologjike, objektive, me etikë profesionale të përcaktuar qartësisht, zë një vend gjithnjë e më të gjerë, në mos themelor, në diskursin e hapësirës tonë. Por, e vërteta është se pas kësaj teze, diku më pak e diku më shumë, me shkathtësi fshihen kuloare kahëzuese në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë të informimeve nga qendra të ndryshme të interesit. Si rrjedhojë, faktet, selekcionohen sipas kritereve personale, grupore, partiake dhe të tjera, mvarësisht kush çka dhe si dëshiron të shohë dhe të dëgjojë.
Ka shumë shembuj aktual që flasin për rrënimin e hapësirës informative në nënqiellin tonë si dhe për murret që e pengojnë rrjedhën e lirë të informacionit dhe të ngjarjeve, e mos të diksutojmë për mendimet dhe qëndrimet që formohen si pasojë e këtyre ngjarjeve.
Nëse situata është e tillë, që mendoj se shumica pajtohemi që është, atëherë çka është puna? Kujtoj përballemi me disa probleme kyçe. Si e para, mendoj që mediumet dhe hapësira publike e nënqiellit tonë nuk janë të mësuar me konceptin demokratik dhe objektiv dhe, krahas asaj që përpiqen të modifikojnë veten, assesi nuk mund ta gjejnë veten në këto parime dhe në të shumtën e rasteve anarkia konceptohet si demokraci. Si e dyta, mendoj se në periudhën e tranzicionit goxha të gjatë, në plan të parë kanë dalë “të ligët”, ndërsa ata “të mirët” nuk kanë guxim, ose nuk kanë aftësi për hapërim real me efektet e produksionit medial. Si rrjedhojë, prodhuesit e lajmit janë shndërruar në institucione të informacionit kontraproduktiv, madje edhe nga spektri i atyre që i mbështetin “moralisht” dhe materialisht. Fjala është për eksperimentim dhe anarkizim të hapësirës informative në kuadër të tërësive të caktuara kuptimore, që shihet nga njëra anë në shërbëtorinë klasike gazetareske, ndërsa nga ana tjetër në deprofesionalizimin e gazetarisë. Me këtë qarku i gjerë që e paraqet relacionin e shoqërisë me komunikimin është shndërruar në një spiralë që zgjatet aq sa një fuqi e caktuar e tërheq njërin skaj të spirales, ndërsa gazetaria objektive shndërrohet në iluzion pa mbulesë.

Si të shpëtohet nga vorbulla e lajmeve të rreme dhe të fabrikuara..?

Në konceptin e filozofisë bashkëkohore, në sajë të objektivitetit nominal ose real, gazetarët kanë një status të veçantë në shoqëritë e demokracive të zhvilluara. Por mediat e reja, si interneti, po ndryshojnë idenë e objektivitetit. Disa autorë konsiderojnë se objektiviteti në gazetari është një lloj arme për t’u mbrojtur kundër formave të ndryshme të ndërhyrjeve politike në punën e gazetarëve. Së pari duhet marrë në konsideratë vetë koncepti i objektivitetit, i cili vendoset në të njëjtin nivel me kategorinë filozofike të së vërtetës, e cila konsiderohet një ideal po aq i paarritshëm, veçanërisht për gazetarët që operojnë në një mjedis stresues siç është hapësira jonë. Gazetaria objektive duhet të jetë gjakftohtë dhe jo emocionale. Është e vështirë për gazetarinë objektive të paraqesë me drejtësi të gjitha anët e rëndësishme në debatin shoqëror. Në përputhje me rregullat e objektivitetit, puna gazetareske konsiston në raportimin e asaj që ne e quajmë lajm, pa komentuar, shtrembëruar apo formësuar në asnjë mënyrë format”. Objektiviteti në gazetari është konsideruar që në fillim si një element themelor dhe një segment i pandashëm i profesionit të gazetarit, por kohët e fundit disa autorë po ripërcaktojnë përkufizimin konceptual të objektivitetit. E vetmja metodë e pranueshme e informimit objektiv është aplikimi i teorisë faktike, e cila duke respektuar të vërtetën, shkon pas fakteve dhe të dhënave me interes publik, dhe jo pas afiniteteve personale, kërkesave grupore dhe vlerësimit joracional të gazetarëve. Mediumet duhet të përpiqen për mbrojtjen e interesit publik, që do të thotë se përdoruesit e informacionit duhet të marrin të dhëna të drejta dhe fakte. Nga ana tjetër, gazetarët duhet të mbrojnë lexuesit, shikuesit dhe dëgjuesit nga stresi, sikleti dhe traumat e shkaktuara nga gënjeshtrat dhe lajmet e rreme. Edhe pse edhe vetë gazetari duhet të edukojë veten për të qëndruar larg nga qasje të tilla, më me rëndësi është që përdoruesit e informacionit duhet t’i kursehen dhimbjet mendore dhe shqetësimet shpirtnore. Të gjithë atyre që publikojnë lajme të rreme dhe dezinformat, ose situata të paverifikuara, duhet kujtuar se përmbajtjet mediatike i konsumojnë edhe ata vetë dhe familjet e tyre. Lajmet e tilla mund të lënë gjurmë të thella në psikikën e tyre dhe mund të kenë ndikim negativ në shëndetin shoqëror të brezave të ardhshëm.
Për fund, mund të them se dëshira e përgjithshme për komercializim dhe përfitim më të madh në media ka çuar në një dekadencë të plotë të standardeve etike dhe se dinjiteti i subjektit moral modern është kërcënuar ndjeshëm. Kjo mund të shihet më së miri nga shembujt e shumtë në të cilët është shkelur në mënyrën më të rëndë etika mediatike dhe mediat nga roje të interesit publik janë shndërruar në transmetues të shijes më të keqe. Në mediat e pamëshirshme komerciale, ku çdo gjë ka çmimin e vet, përdoruesit e informacionit, të cilët përmes raportimit mediatik për situata të caktuara, i ekspozohen sulmit më të rëndë, mbeten të pambrojtur. Detyra e gazetarit nuk është të përcjellë te publiku skena tmerri mendor, por ta bëjë punën e tij në mënyrë etike…

Nga: Metin Izeti

You may also like