Estetistja 26 vjeçare qëllohet për vdekje në bar mbrëmjen e Krishtlindjes në Britani (fotot)

by admin
Spread the love

Elle Edwards vdiq nga plagët që mori kur një sulmues hapi zjarr në një bar në qytezën Wirral pranë Liverpool, mbrëmjen e Krishtlindjeve në Britani.

Estetistja që përshkruhej si një “vajzë e mrekullueshme” po festonte në bar me miqtë dhe motrën e saj, kur u qëllua për vdekje nga plumbi i sulmuesit te panjohur.

26 vjeçarja Elle Edwards, punonte në studion Nova Hair dhe ishte gjithashtu si artiste grimi. Por e reja humbi jetën në tragjedinë që besohet se u shkaktua nga një makinë në lëvizje.

Katër burra të tjerë pësuan plagë nga të shtënat, një prej të cilëve lufton për jetën në spital. Policia tha se sulmuesi u largua me një makinë A-Class Mercedes, e drejtuar nga një shofer mashkull.

Miku i familjes Tyreece Hon i bënte homazhe viktimës duke e quajtur “motër e madhe” dhe shprehte dhimbjen për lajmin e marrë nga familja e saj.

Në një postim në rrjet Tyreece tha: “Zemra ime shkon te familja jote që më pranoi si birin e saj. Të dua shumë, shkëlqe si nje diamant”.

Mjekësia ligjore kishte rrethuar skenën e krimit dhe oficerët thanë se po punojnë për zbulimin e autorëve, të motiveve të tyre dhe objektivit të sulmit.

Inspektori Dave Mccaughrean tha: “Hetimi është ende në faza të hershme për këtë incident shokues që ka ndodhur natën e Krishtlindjeve, në një ambjent të mbushur me të rinj”.

“Oficerët tanë po punojnë për të kuptuar çfarë ka ndodhur në Wallasey Village dhe për të marrë veprimet e duhura”.

“Një e re ka humbur tragjikisht jetën në prag të Krishtlindejve ndërsa disa të tjerë po trajtohen në spital”.

Zyrtarët shtonin se një djalë 28-vjeçar po luftonte për jetën në spital ndërsa të plagosurit e tjerë ishin 22, 24, e 33 vjeç.

“Tragjikisht viktima 26-vjeçare pësoi një plagë në kokë dhe ndërroi jetë në spital”.

Oficerët bënin thirrje për informacion në lidhej me të shtënat.

Dëshmitarët thonin se bari nuk kishte qenë kurrë aq i mbushur me njerëz.

Banorja lokale Jenny Hough, foli për tronditjen kur mësoi atë që kishte ndodhur.

“Dëgjova të shtënat, në fillim mendova se ishin fishekzjarrë. Më vonë kur pashë lajmin nuk arrija ta besoja. Motra ime që ka shtëpinë ngjitur me barin, tha se i kishin hyrë breda në kopsht, ndoshta njerëz që përpiqeshin të dilnin për të shpëtuar.”