Është i armatosur dhe me shenja të theksuara depresioni – Shqip

by admin
Spread the love

Kreu i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj në një prononcim për gazetarët dha detaje për autorin e dyshuar të plagosjes së efektivit Edlir Alleshi, pasditen e sotme në Tiranë. Vocaj tha se Klered Bozhanaj, 42-vjeç është i armatosur dhe ka shenja të theksuara depresioni. Po ashtu policia vuri në dispozicion 20 mijë euro për këdo që do të ndihmojë në kapjen e tij.

“Në orën 18:55 në rrugën Hysen Xhura një patrullë e shërbimit Shqiponja duke patrulluar në sektorin e saj ka konstatuar një qytetar që sapo ka parë policinë është larguar në mënyrë të dyshimtë. Ata e kanë ndjekur dhe ai ka hyrë në një hyrje pallati që përkon pak a shumë me shkallën e shtëpisë së tij. Për pasojë efektivi është plagosur, ai ka një dëmtim me armë zjarri. Është jashtë rreziku për jetën. Shërbimet e policisë, RENEA dhe gjithë forcat e policisë të gjithë republikës janë mobiliuar për kapjen e autorit, Klered Bozhanaj, 42 vjeç. Theksojmë se është i armatosur dhe ka shenja të theksuara të depresionit. Policia ve në dispozicion 20 mijë euro për çdo informacion të vlefshëm që mund të çojë në kapjen e autorit”, tha kreu i policisë.

Vocaj po ashtu shtoi se Boxhanaj rezulton të jetë kthyer nga Italia në vendin tonë në muajin Gusht.

“Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, Patrullat e Përgjithshme të mbështetura nga Renea, po vijojnë ndjekjen dhe kontrollin e zonës, për kapjen e personit të armatosur, shtetasit Klered Bozhanaj, 42 vjeç, që plagosi punonjësin e Policisë, inspektor E. A. Policia e Shtetit kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që kushdo që ndeshet të bëjë kujdes pasi ky shtetas është i armatosur, dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet e Policisë.

DVP Tiranë fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 20000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 0694111546, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi”, thuhet po ashtu në një njoftim zyrtar për mediat. /tvklan.al

You may also like