Emigrantët protestojnë në Londër kundër deklaratave të sekretares britanike: Krenar që jam shqiptar, ne punojmë paguajmë edhe taksa

by admin
Spread the love

Ashtu sikurse kishin paralajmëruar, emigrantët shqiptarë kanë dalë në protestë ditën e sotme në Londër, protesta u thirr pas deklaratave të sekretares së Brendshme, Suella Braverman, e cila i cilësoi emigrantët shqiptarë si “kriminelë”.

Emigrantët me flamujt kombëtarë dhe pankarta në duar, po protestojnë te kulla e Londrës.

“Ne punojmë, paguajmë taksa, ne jemi shqiptarë”, “krenar që jam shqiptar”, janë disa prej pankartave që mbajnë në duar.

Më herët Braverman është shprehur se ardhja e emigrantëve shqiptarë në brigjet britanike është “pushtim.”

Kjo deklaratë solli menjëherë reagime të forta.

Emigrantët shqiptarë që jetojnë në Angli, kanë akuzuar qeverinë se po përdoren për të justifikuar politikën “e dështuar” të emigracionit në Britani si dhe kritikuan Ministrinë e Brendshme se ata po ndikonin në sigurinë e vendit.

Daily Mail i ka kushtuar një artikull reagimeve të tyre, ku shqiptarët shprehen se kanë ardhur në Britani për një jetë më të mirë dhe se është e papranueshme që të etiketohen si “banditë apo hajdutë”.

Kryeministri Rama, gjatë një interviste të dhënë ditën e djeshme për Sky News, ka deklaruar se po pret që qeveria britanike të kërkojë falje për deklaratat e bëra nga sekretarja Braverman.

Sipas kryeministrit Rama, deklaratat e sekretares së Brendshme Britanike, janë bërë për qëllime elektorale.

Në politikat e ditëve të sotme nganjëherë këto gjëra mund të ndodhin, por ajo që më shqetëson më shumë është se nuk kërkohet falje. Është një mënyrë e ekzagjeruar e të shprehurit. Kjo është ajo që më shqetëson. Kjo do të thotë se ka një kalkulim, ku ti vërtetë po flet për disa votues, që të dëgjojnë atë, pasi ti do votën e tyre”, tha Rama.

Çfarë kanë thënë Suella Braverman dhe Priti Patel?

Priti Pate l, paraardhësja e Braverman, u përpoq të organizonte një marrëveshje me qeverinë shqiptare në gusht, në mënyrë që ata që mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar të mund të ktheheshin.

Patel tha në atë kohë:Këta shtetas shqiptarë janë sjellë këtu ilegalisht nga rrjetet e organizuara kriminale që udhëtojnë nëpër vende të shumta të BE-së. Ata janë duke blerë azil, duke bërë përpjekje për të kërkuar azil në Britani me shpresën se mund të qëndrojnë këtu”.

Kjo do të hiqte të drejtën e shqiptarëve për një gjykim të drejtë për kërkesat për azil në MB.

Megjithatë, departamenti ligjor i qeverisë konfirmoi më vonë në shtator se ky program nuk zbatohej për shqiptarët që kishin aplikuar për azil në Britani, pasi organizata bamirëse e refugjatëve Care4Calais e sfidoi atë.

Themeluesja e bamirësisë, Clare Moseley, vuri në dukje se 53% e kërkesave të shqiptarëve për azil pranohen nga Home Office, “duke demonstruar se për shumë shqiptarë vendi i tyre nuk është një vend i sigurt për të jetuar”.

Por, Braverman përdori edhe shqiptarët për të marrë një goditje në Partinë e Punës të hënën.

“Nëse Laburistët do të ishin në krye, ata do të lejonin të gjithë kriminelët shqiptarë të vinin në këtë vend, do të lejonin të gjitha varkat e vogla të vinin në Britaninë e Madhe, do të hapnin kufijtë tanë dhe do të minonin totalisht besimin e popullit britanik”.

Braverman bëri komente specifike për shqiptarët edhe në konferencën e Partisë Konservatore në tetor.

Ajo pretendoi se Shqipëria ishte një vend i sigurt, duke shtuar: “Shumë prej tyre pretendojnë se janë trafikuar si skllevër modernë…e vërteta është se shumë prej tyre nuk janë skllevër modernë dhe pretendimet e tyre se janë trafikuar janë gënjeshtra”.

Komentet e saj nxitën një rishikim të udhëzimit të Home Office, të përdorur për të pranuar kërkesat për azil nga Shqipëria.

Qeveria tani po përpiqet të punojë mbi propozimet që qeveria shqiptare të përpiqet të frenojë këtë fluks njerëzish, si dhe të punojë në një rrugë “të shpejtë” për të dëbuar ata që mbërritën në Britani në 10 muajt e fundit.

You may also like