​Emërimi i trajnerit të ri, analistët: Të ketë autoritet para lojtarëve

by admin
Spread the love

Kombëtarja e Kosovës në futboll tashmë ka një trajner të ri. Në krye të Dardanëve për dy vitet e ardhshme do të jetë austriaku, Framco Foda.

Me këtë rast, analistët e futbollit kanë bërë thirrje që trajneri i ri të sjellë rend dhe të ketë autoritet para lojtarëve.

Trajneri Gani Sejdiu ka thënë se trajneri i ri i Kosovës duhet të ketë aftësi për të nxjerrë më të mirën nga futbollistët, por edhe të vendosë rend dhe disiplinë.

Sejdiu: Trajneri i ri të ketë autoritet dhe ta kthejnë homogjenitetin brenda grupit

“Ajo që është më me rëndësi dhe më kryesorja për selektorin tonë është që domosdoshmërisht ta ruaj autoritetin e vet përpara lojtarëve, përpara kombëtares, është një element kyç për të qenë menaxhimi i suksesshëm me lojtarë të tipeve të ndryshëm që janë një kohë të gjatë dhe që mendoj se me kalimin e kohës ata në vend se t’i tregojnë cilësitë e tyre, na kanë demantuar në këtë aspekt. Kështu që mendoj se autoriteti është karakteristika kryesore që duhet ta ketë ky trajner…Ai duhet tani gradualisht në bazë të karakteristikave të lojtarëve ta gjejë sistemin e duhur dhe formën e duhur të lojës që do ta interpretojë karshi kundërshtarëve dhe unë mendoj që pjesa kyçe është që ta kthejë atë homogjenitetin brenda grupit që mendoj se ka munguar kohëve të fundit”, theksoi Sejdiu.

Nga ana tjetër, analisti i futbollit Alban Lumi ka deklaruar se ajo që i nevojitet Kosovës është kompaktësia e grupit, pasi kjo ka munguar nën drejtimin e trajnerëve të deritanishëm.

Lumi: Dardanëve iu duhet një trajner i matur

“Duhet një kompaktësi më e madhe, duhet një frymë më e mirë brenda dhe derisa me Glihan kemi parë një atmosferë në disa ndeshje të mirë dhe lojtarët janë angazhuar, kanë pasur disa deklarata zhgënjyese nga vet selektori i cili thuajse e prishi atmosferën dhe po besoj që një selektor i matur, një selektor që ka përvojën e tij me kombëtare apo ekipe të tjera prestigjioze evropiane do t’i sjellë më tepër të mira kombëtares sonë duke e ditur që kemi edhe yjet tanë si Rrahmani e të tjerë, të cilët duhet të jetë edhe selektori në nivel të tyre nëse dëshirojmë të arrijmë diçka më tepër”, tha Lumi.

Për më tepër, trajneri Sejdiu ka bërë thirrje që si shembull për të pasur sukses duhet të merret puna që po bëhet tek Kombëtarja Shqiptare nga trajner brazilian, Silvinjo.

Sejdiu: Te Kosova të merret shembull qasja e Silvinjos te Shqipëria

“Mendoj që mund ta marrim shembull dhe model Shqipërinë kur ka qenë në një situatë jo të mirë përpara emërimit të Silvinjos i cili bëri një lloj mini-revolucioni si në simet të lojës, në stil, por edhe në menaxhimin e lojtarëve, e studioi mirë ambientin e Shqipërisë edhe natyrën e lojtarëve dhe mendoj që e gjeti formën e duhur për ta rikthyer besimin he motivin e madh, kështu që mendoj që këto janë ato gjërat që më së shumti i duhen selektorit të ardhshëm”, tha Sejdiu.

Si Sejdiu, ashtu edhe Lumi, janë shprehur të bindur se me trajneri e ri Kombëtarja e Kosovës, do të ketë sukses në ndeshjet e fazës së grupeve të Ligës së Kombeve që do të zhvillohen nga muaji shtator i këtij viti.

You may also like