Edit Harxhi reagon për situatën në PD: Tërmet i pritshëm prej vitesh

by admin
Spread the love

Demokratja Edith Harxhi ka bërë një koment për zhvillimet e fundit në PD. Harxhi thotë se ky tërmet ishte i pritshëm prej vitesh në selinë blu, për shkak sipas saj, të vendimeve të Lulzim Bashës, të cilin ajo e quan “lider me shkollim perëndimorë” dhe i pa aftë të drejtojë edhe një OJQ.

Shkruan Edith Harxhi:

“Në këto ditë të vështira të nisjes së krizës më të fundit ekonomike dhe energjitike, në këtë përvuajtje strapacuese disa vjeçare ku një numër i madh shqiptarësh largohen nga vendi si kurrë më parë, Partia Demokratike, opozita e vetme në vend bën lajm me zhurmën e madhe por edhe ringjalljen që po shkakton tërmeti i fundit politik në të. Ky tërmet ishte i pritshëm prej disa vitesh, sidomos për një grup nga ne idealistët që kemi vite që ngremë zërin për mungesën e fjalës së lirë, votës së lirë, konkurrencës, meritokracisë dhe orientimit konservator të PD-së. Kjo shkarje ka nisur herët por u forcua gjatë viteve 2013-2021 kur “lideri me shkollim perëndimorë” dhe i pa aftë të drejtoj edhe një OJQ nisi misionin e tij të shkatërrimit të investimit tonë 30 vjeçar për ngritjen e një të djathte klasike.

Pas shumë vitesh, kam nisur këto ditë të shoh dritë në fund të tunelit. Anëtarësia po zgjohet dhe shpirti demokrat po ringjallet e për këtë shkaktar përsëri është misionari shkatërrues me vendimet e tij të fundit antistatutore dhe antidemokratike. Foltoret po prodhojnë debat, po prodhojnë fjalën e lirë dhe pavarësisht patetizmave të kohës po ngjizin një bashkim që kaq shumë i duhej PD-së si aset kombëtar. Tani na duhet të afrojmë çdo kontribut, të dalim me një projekt të ri për një Parti konkuruese, qytetare, të kthejmë institucionin e votës dhe diversitetin e mendimit dhe të nisim largimin final të kësaj qeverie Rama-Basha nga pushteti i korruptuar.

Etiketimet “llum”, “kuvend antiamerikan”, apo përjashtimet pa statut e pa forume alla diktator komunist, po i shërbejnë çdo ditë e më tepër projektit tonë të ri dhe fundit të tranzicionit lodhës në PD. Tani është koha të mbledhim popullin në një betejë të re përballë pazarxhinjve Rama- Basha dhe enturazhit të tyre politik dhe ekonomik, dhe të fundosim korrupsionin dhe paligjshmërinë ashtu siç kanë bërë popuj të tjerë rreth nesh. Fajin nuk e ka kurrë populli, fajin e kanë ata që e kanë zhvatur dhe përdhosin cdo ditë këtë popull. Të bëhemi pjesë e projektit të ri për një opozitë të fortë dhe një qeveri të ardhshme model. Këta misionarë dështak i quaj të ikur!“-shprehet Harxhi.

You may also like