Edhe raundi i dytë dhe i tretë për presidentin në Shqipëri do të jetë i njëjtë si i pari

by admin
Spread the love

Kryeredaktori i Tv Klan, Fatos Hakorja, ka folur për zhvillimet e fundit në Kuvendin e Shqipërisë për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka theksuar se ishte e pritshme e gjithë ajo çka ka ndodhur për shkak se palët nuk paraqitën kandidaturën ashtu siç e parashikonte Kushtetuta.

“Për këtë motiv sot u shkua pa asnjë kandidaturë, sepse Partia Socialiste thotë se nuk i ka votat për ta votuar një kandidaturë në raundin e parë. Kjo është më se e vërtetë sepse Kushtetuta e parasheh që presidenti të zgjidhet në raundin e parë, duhet të marrë tre të pestat e votave, ose duhet të jenë 84 deputetë që duhet të votojnë pro kandidaturës së presidentit që ai të zgjidhet”.

“Partia Demokratike gjithashtu nuk paraqet kandidat për president sepse nuk i ka votat për ta zgjedhur as në raundin e parë as edhe në të pestin. Në këtë mënyrë, për shkak se palët janë shumë të ndara sa u përket qëndrimeve politike, ky raund u ezaurua pa asnjë kandidat, kështu besoj do të ezaurohet edhe raundi i dytë, i cili duhet të mbahet pas shtatë ditëve nga raundi i parë”, ka thënë Hakorja.

Hakorja ka deklaruar se edhe dy raundet e tjera për zgjedhjen e presidentit shqiptar do të jenë të njëjta.

“Nuk besoj se do të jetë ndryshe nga ky raund, dëgjuam palët të prononcoheshin edhe pas seancës së parë ata nuk kanë ndryshuar qëndrim. PD-ja e quan këtë një farsë, e akuzon PS-në se nuk do një president konsensual. PS-ja thotë se opozita ka problemet e saj dhe se nuk arrin të mbështesë një kandidat të mazhorancës apo edhe të propozojë emrat e saj, edhe raundi i dytë do të ezaurohet si raundi i parë, po ashtu edhe i treti mendoj”,ka thënë Hakorja, njofton KlanKosova.tv.

You may also like