Dy trajnerë dhe shumë polemika, Kosova mbyll eliminatoret me dështim

by admin
Spread the love

Mbyllen kualifikimet për Kampionatin Evropian 2024 për përfaqësuesen e Kosovës në mënyrën më te keqe të mundshme.

Pozita e pestë në tabelë, duke lënë mbrapa vetëm Andorran, nuk mund të quhet ndryshe se një dështim i madh, ndoshta edhe dështimi më i madh i futbollit të Kosovës prej se është pranuar në UEFA dhe FIFA.

Kur Kosova mësoi kundërshtarit e grupit I, me Izraelin, Rumaninë, Bjellorusinë, Andorran dhe Zvicrën, askush nuk e kishte paramenduar se Kosova në fund do të jetë në pozitën e pestë, sepse në fillim të gjithë e diskutonin si kundërshtarin më të denjë vetëm Zvicrën, duke mos e diskutuar fare pozitën e dytë dhe kualifikimin në Euro 2024, ndërsa optimizmi ishte aq i madh saqë edhe vet njeriu i parë i FFK-së, Agim Ademi, kishte deklaruar se Kosova do të jetë pjesë e Kampionatit Evropian.

Tash pas këtij dështimi fajtorët janë të shumtë, nga zgjedhja e trajnerëve e deri te përzgjedhja e futbollistëve, kurse kulmi i pakënaqësive në dhomat e zhveshjes dhe më lart, erdhi në tri ndeshjet e fundit kualifikuese, ku munguan yjet e “Dardanëve” që tërthorazi u morr vesh se nuk erdhën qëllimisht të luajnë shkaku i problemeve direkte me trajnerin dhe krerët e FFK-së.

Zgjedhja e trajnerit Alain Girrese, doli të jetë dështim i madh, pasi Kosova nën drejtimin e tij humbi edhe atë pak shkëlqim që kishte viteve paraprake, dhe në vend se të ngrihej niveli i lojës dhe të kemi sa më shumë lojtarë vendorë, forma e Kosovës ishte gjithmonë në rënie, kurse edhe më keq shkuan gjërat, kur disa futbollistë refuzuan Kosovën pikërisht për shkak të pakënaqësive dhe mosmarrëveshjeve me FFK-së.

Barazimi në ndeshjen e parë të këtyre kualifikimeve me Izraelin, ishte një sinjal i vogël se Kosova mund të   arrijë atë që e ëndërron, edhe pse me pak fat kemi mundur edhe ta fitojmë ndeshjen. Barazimi me Andoran ishte e pakapërdishme dhe nisma e asaj që quhet dështim.

Por, çudia më e madhe ishte arsyetimi i zyrtarëve të FFK-së, se e gjithë kjo amulli erdhi si pasojë siç ata e quanin “show” që u bë kundër Agim Ademit, që akuzohej për shmangie të tatamit dhe  keqpërdorim të besimit”, do të thotë se pasojat janë bartur edhe te ekipi.

Ftesa e disa lojtarëve ndërkohë të cilët jo që nuk kishin minutazh në klubet e tyre, ata edhe startonin në ndeshjet e ardhshme, dhe barazimi i tretë këtë herë pa gola me Rumaninë, ishte pasqyrë e qartë se diçka nuk po shkon si duhet, ndërsa askush nuk merrte përgjegjësinë e këtyre rezultateve negative.

Dështimi kulmoi me humbjen nga Bjellorusia, dhe aty u kuptua se Euro 2024 është shumë larg, edhe pse matematikisht ishim në lojë ende.

Ardhja e trajnerit slloven, Primoz Gliha, u pa sërish me sy kritik, sepse nuk kishte ndonjë përvojë të madhe për të qenë në krye të Kosovës. Megjithatë, ai ia doli që të barazonte në “Fadil Vokrri” ndaj Zvicrës 2-2, por menjëherë pastaj pësoi disfatë nga Rumania 2-0, dhe gjasat për kualifikim u veniten.

Dy fitoret e ardhshme ndaj Andoras në udhëtim dhe Izraelit në shtëpi, si dhe gabimet që rrugës I bëri Zvicra, u shtuan sërish gjasat që të përfundojmë të dytit në tabelë, por do të duhej një mrekulli në Basel dhe atë pas 8 lojtarët kryesor të fitojmë dhe të presim xhiron e fundit.

Kosova nën udhëheqjen e Glihas barazoi 1-1 ndaj Zvicrës, dhe paramendoni, në minutën e 82 ishim vetëm një gol larg fitores eventuale duke pritur humbjen e Zvicrës te Rumania dhe fitores së Kosovës ndaj Bjellorusisë, çuditërisht në minutat finale në Basel, askujt nuk iu bë vonë, duke mos tentuar asnjëherë të dilnin në gjysmëfushën e “helvetëve”, andaj përfundimisht u shuan shpresat e kualifikimit.

Ndërkohë, filluan disa  deklarata të pamatura të trajnerit slloven, që ngriti në këmbë gjithë gazetarët dhe analistët ta kritikojnë, sepse atë që thoshte Gliha ishte jashtë çdo logjike për një trajner, që realisht shikuar nuk kishte rezultate aq negative sa deklarata skandaloze.

Kjo u bartë te skuadra në ndeshjen e fundit ndaj Bjellorusisë, ngase lojtarët ishin totalisht të painteresuar për lojë, pa motiv dhe vullnet për lojë, andaj humbja nga Bjellorusia ishte e pashmangshme, pavarësisht se ata shënuan në gjuajtjen e vetme që patën në drejtim të portës.

Largimi apo shkarkimi i Glihas është çështje orësh apo ditësh dhe atë zyrtarisht, andaj tash duhet të mendohet për trajnerin e ri, i cili duhet të jetë shumë serioz dhe të ketë autonomi të plotë në vendimmarrje, e jo të ndikohet nga rrethi, e aq më pak nga presidenti.

Sigurisht se trajneri i ardhshëm me çdo kusht duhet të vije me ndihmësit e tij dhe stafin përcjellës, pasi pikërisht në këtë pikë edhe nisën problemet e yjeve tona me FFK-së.

Kosova nuk do të ketë ndeshje zyrtare deri në muajin shtator të vitit 2024, kur do të nis edicioni i ri në Nations League, dhe deri atëherë urgjentisht duhet të emërohet trajneri, mundësisht në fillim të vitit, dhe të zhvillojmë 2-3 ndeshje miqësore, ndërsa përgjegjësit e zbulimit të talenteve shqiptarë që luajnë nëpër Evropë, të jenë të shpejt dhe nuhatës të mirë, duke mos i harruar në asnjë moment futbollistët që luajnë në Superligën e Kosovës, ngase edhe ata e dëshmuan se mund të luajnë në nivele të larta. /Supersport


Top Channel

You may also like