Dy herë u trajtua fshehtas dhe në spitale private – Presidentes i mungon vullneti për transparencë – Shqip

by admin
Spread the love

Presidentja Osmani është trajtuar mbrëmë rreth mesnatës në një spital privat, fshehtas. Presidenca fillimisht nuk është përgjigjur, e pas raportimit, ka dalë me njoftim publik rreth kësaj. E gjithë kjo situatë dukej e përsëritur. Presidentja edhe para disa muajve ka hyrë në një operim dhe e ka mbajtur këtë krejt sekret. Deri kur e zbuluan mediat turke, pasi operacionin e kishte kryer në Turqi.

Për arsyet që nuk dihen, Presidentja Vjosa Osmani është e përcaktuar që të mos trajtohet në spitalet publike të Kosovës, kur ka shqetësime shëndetësore, si në dy rastet e ndërhyrjeve kirurgjikale.

Mbrëmë para mesnatës, u Express ka mësuar se Presidentja po bënte një intervenim kirurgjik në një nga spitalet private të Prishtinës.

Eskorta e Presidencës qëndronte para spitalit, ndërkaq zyra e saj nuk deklarohej rreth kësaj.

Presidenca e konfirmoi përmes një njoftimi publik të mëvonshëm, duke thënë se Presidentja e kishte kaluar intervenimin me sukses.

“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se dje (2 nëntor), pas rekomandimit nga mjekët specialistë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i është nënshtruar një intervenimi të lehtë kirurgjik (heqja e tëmthit), i cili është realizuar me sukses”.

Një rast i tillë, i mbajtjes sekret të ndërhyrjes kirurgjikale të Presidentes, ka ndodhur edhe njëherë tjetër. Dallimi është se kësaj radhe Osmani ka vendosur që kompetencat t’ia kalonte Kryeparlamenarit Glauk Konjufca. Dhe, nuk ka dalë jashtë vendit për intervenim.

Muaj më parë, Presidentja Osmani po komentohej për humbje të madhe të peshës, brenda një kohe të shkurtër.

Një raportim i një mediumi turk, “hodhi dritë”, për të gjithë ata që donin të dinin si erdhi Presidentja deri te humbja e peshës.

“Hurriyet” në maj të këtij viti shkroi se presidentja e Kosovës, i është nënshtruar një operacioni në Antalja për të rënë në peshë. Sipas artikullit të “Hurriyet”, Osmani ka qëndruar në një hotel me pesë yje në Antalja.

Nga ky raportim shpërthyen reagimet ndaj Osmanit, në disa segmente.

Fillimisht, Presidentja kritikohej pse e kishte mbajtur të fshehtë ndërhyrjen kirurgjikale dhe pse nuk i kishte bartur kompetencat e saj te Kryeparlamentari.

Më pas u kritikua se ajo kishte zgjedhur të udhëtonte në Turqi dhe të qëndronte në një hotel atje, për një ndërhyrje në lukth, e cila kryhet edhe në Qendrën Klinike, Universitare të Kosovës.

Operimin e Presidencës, siç raportonte mediumi turk, e kishte realizuar doktori i njohur Ayhan Mesci, i cili punon edhe si profesor në Universitetin “Akdeniz” në Turqi. Mesci raportohej një specialist elitar në këtë fushë.

Ndërhyrja e fundit kirurgjikale e Presidentes, kjo e mbrëmshmja, nga zyra e saj u konsiderua e lehtë.

Njëjtë e kanë konsideruar edhe njohësit e shëndetësisë në vend, duke thënë se një ndërhyrje e tillë kryhet me lehtësi në QKUK dhe në spitale rajonale.

Kolegjiumi i Kirurgëve të Kosovës i kanë reaguar Presidentes, duke e konsideruar nënçmuese për këtë institucion, faktin që e para e shtetit zgjodhi një spital privat për intervenim.

“Injorimi dhe nënçmimi që Presidentja i ka bërë Kolegjiumit të Kirurgëve e në veçanti institucionit mbi të cilat udhëheq, është e papranueshme për të gjithë“, thuhej në reagim.

Cfarë thotë Kushtetuta për raste të tilla?

Në Kushtetutën e Kosovës, brenda kapitullit për Presidentin e Republikës adresohet edhe cështja e mungesës së të parit të shtetit në detyrë.

Në njoftimin e mbrëmshëm Zyra e Presidentit njoftoi se kalimi i kompetencave te Kryetari i Kuvendit u bë “bazuar në vlerësimin dhe vullnetin” e shefes së shtetit.

Neni 90 [Mungesa e Përkohshme e Presidentit]

  1. Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij/saj, ajo/ai mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij/saj, Kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës. Urdhri i Presidentit për kalimin e përgjegjësive duhet të përmbajë veçanërisht arsyet dhe kohëzgjatjen e kalimit të përgjegjësive, nëse ka njohuri për to. Presidenti i Republikës së Kosovës do të rifillojë ushtrimin e përgjegjësive kur të jetë në gjendje t’i ushtrojë përgjegjësitë, dhe kështu Kryetarit të Kuvendit i pushon posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit.
  2. Në rast se nuk ka ndodhur kalimi vullnetar i përgjegjësive, Kuvendi i Republikës së Kosovës, pas konsultimit me konsiliumin mjekësor, me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve vendos nëse Presidenti i Republikës së Kosovës është përkohësisht i paaftë për të ushtruar përgjegjësitë e veta. Kryetari i Kuvendit të Kosovës do të shërbejë si ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës derisa ajo/ai të bëhet i aftë që të rifillojë ushtrimin e përgjegjësive të Presidentit.
  3. Posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë (6) muaj.

Lexo lajme interesante

You may also like