Duka për Oversport: Për trajnerin vendosim brenda vitit, Superiorja e paparashikueshme

by admin
Spread the love

I pranishëm në promovimin e librit “Triumf” të Andi Lilës, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka dhënë një intervistë ekskluzive për Oversport ku ka folur për kampionatin shqiptar, por edhe për kombëtaren kuqezi.

“Si ka qenë ky vit për kombëtaren? Nuk ka qenë i mirë në rezultate viti i fundit, nuk ka qenë i mirë në disa aspekte. Nuk kemi pasur as fatin me vete dhe kjo ka bërë që në një grup me tre skuadra, pasi e katërta nuk mori pjesë, të bënim dy rezultate negative, le të themi të paktën dy të fundit. Sigurisht të kondicionuar edhe nga mungesat, por mund të bënim edhe më mirë. Por gjithsesi mund të lexojmë ndonjë gjë pozitive. Sidomos në ndeshjet e fundit miqësore. Bëmë shumë mirë që luajtëm kundër Katarit dhe Arabisë Saudite në miqësore, se mbase i kujtuam stafit dhe gjithë të tjerëve se kampionati shqiptar ka disa lojtarë që mund të luajnë në kombëtare dhe u afruan. Gjë të cilën duhet ta kemi në vëmendje dhe ta bëjmë si praktikë edhe në të ardhmen. Ku duhet të zhvillojmë ndeshje me lojtarë të kampionatit shqiptar që të evidentojmë ata akoma më shumë dhe për ti bërë ata pjesë të ekipit kombëtar. Jemi në prag të Euro 2024 dhe duhet të shohim përpara dhe të shohim Poloninë si objektivi i parë i radhës.

Çështja e trajnerit? Akoma nuk e kemi vendosur, besoj që brenda këtij viti do të vendosim nëse do të vazhdojë Reja apo do të jetë dikush tjetër në krye të kombëtares shqiptare të futbollit.

Një mendim për kampionatin shqiptar? I paparashikueshëm për rezultatet dhe klasifikimin. Për nivelin nuk mund të flas akoma, duhet të presim deri në fund për ta krahasuar me kampionatet paraardhëse. Është akoma fillimi dhe ka akoma shumë ndeshje deri në fund, për të parë renditjen përfundimtare të skuadrave, ata që do të jenë në krye të renditjes, apo ata që do të zbresin një kategori më poshtë.

Paraqitja e skuadrave që vijnë nga Kategoria e Parë, Erzeni? Skuadrat janë të të njëjtit nivel, diferencat nga vendi i parë deri tek vendi i fundit nuk janë shumë të mëdha. Siç ndodhet Erzeni në vendin e tretë mund të ishte Kukësi. Erzeni ka bërë shumë mirë, ka bërë rezultate pozitive. Ka pasur shumë energji, dëshirë dhe uri më shumë se të tjerët, prandaj ka arritur këto rezultate. Nëse do të vazhdojë me të njëjtën energji dhe uri, me të njëjtin ritëm dhe qetësi do të vazhdojë ta mbajë vendin në renditje. Çdo skuadër dhe çdo futbollist për të arritur objektivat duhet të impenjohet maksimalisht, të ketë grintën e duhur për të arritur objektivin.

Suksesi i kombëtares U17? Është një rezultat pozitiv për tu falenderuar. Nuk është një rezultat rastësor, pasi ekipi është shumë i mirë dhe po të shohësh grupi ka luajtur përballë tre kundërshtarëve shumë cilësorë Kroacia, Suedia dhe Uellsi. Dhe kanë nxjerrë jashtë Suedinë, që për mendimin e shumë specialistëve mund të ishte skuadra më e mirë e grupit. Padyshim që ky sukses të jep shpresë akoma më shumë për të ardhmen dhe të bën të mendosh që jemi në rrugën e duhur me ekipet e moshave dhe të rinjve”, ka thënë Armand Duka për Oversport.

You may also like