Drejtuesit e Universitetit të Tetovës realizuan takim pune me drejtorin e Spitalit Klinik të Tetovës – Shqip

by admin
Spread the love

Rektori i Universitetit të Tetovës, Jusuf Zejneli së bashku me kryetarin e Senatit, Vullnet Ameti, më 5 tetor 2023, e kanë takuar drejtorin e Spitalit Klinik të Tetovës, Ilir Demiri. Me këtë rast, drejtuesit e UT-së e kanë uruar z. Ilir Demiri për emërimin e tij në krye të këtij institucioni shëndetësor tejet të rëndësishëm për qytetin e Tetovës dhe më gjerë. Në këtë takim drejtuesit e institucioneve të sipërpërmendura theksuan nevojën imediate për të vijuar bashkëpunimin midis tyre, sidomos me Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë që tashmë e ka dëshmuar se jep kontribut thelbësor në përgatitjen e kuadrove nga lëmi i mjekësisë.

Universiteti i Tetovës dhe Spitali Klinik i Tetovës bazuar edhe në profilin e veprimtarisë që zhvillojnë, nga viti në vit e kanë forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional si në këmbimin e stafit ashtu edhe në organizime të tjera që kanë për qëllim hulumtimet shkencore.

Në përmbyllje të këtij takimi, drejtuesit e UT-së e përgëzuan Demiri për iniciativën e ndërmarrë në funksion të riorganizimit dhe konsolidimit të plotë të Spitalit Klinik të Tetovës.

You may also like