Dominim total i Atalantës, Sampdoria dorëzohet pa kushte në “Gewiss”

by admin
Spread the love

Pas 5 ndeshjesh pa fitore, Atalanta rikthehet tek suksesi në Serie A, duke mposhtur bindshëm 4-0 Sampdorian. Zikaltërit dominojnë gjatë gjithë takimit, pa vënë në asnjë moment në diskutim fitoren.

Pasalic, Koopmeiners (shënon 2 gola) dhe Miranchuk vulosin fatin e një ndeshjeje pa shumë histori. Falë këtij trepikëshi, zikaltërit ngjiten në kuotën e 47 pikëve në tabelën e klasifikimit dhe vazhdojnë të jenë në garë për një vend në Champions.

Sampdoria ka zhvilluar një ndeshje shumë të dobët dhe mund të pësonte një disfatë edhe më të thellë.

Në stadiumin “Gewiss” luhet sfida Atalanta-Sampdoria, që mbyll javën e 27-të të kampionatit italian në Oversport dhe Tibo. Vendasit kërkojnë të lënë pas krahëve momentin e vështirë (5 javë pa fitore në Serie A) dhe nisin vrullshëm ndeshjen.

Pasalic kalon shumë shpejt në avantazh zikaltërit, pas një pasimi të saktë të Freuler. Sampdoria nuk arin të reagojë dhe skuadra e Gasperinit (që qëndron në tribunë) dominon lojën dhe krijon shumë raste për shënim.

Boga dhe Pessina i afrohen golit, por është Koopmeiners ai që shënon golin e dytë për vendasit. Atalanta luan mirë dhe i afrohet edhe golit të tretë me Pasalic. Mbyllet 2-0 një pjesë e parë e dominuar totalisht nga zikaltërit.

Edhe pjesa e dytë nis me të njëjtën tablo: Atalanta zotëron gjithçka dhe Sampdoria që mbrohet. Boga provon të shënojë golin e tretë, por Falcone reagon dhe devijon topin në korne. Miqtë shënojnë me Caputo, por goli anulohet për pozicion jashtë loje.

Pak minuta më vonë vjen edhe goli i tretë për zikaltërit. Është sërish Koopmeiners ai që gjen rrugën e rrjetës, për herë të dytë në këtë sfidë. Sampdoria vuan dhe nuk arrin që të dalë përpara dhe të krijoj rrezik në prapavijën e Atalantës.

Pasalic është i pafat, pasi gjuajtja e tij përfundon në shtyllë. Miqtë janë të pafuqishëm dhe mezi presin që kjo sfidë të përfundojë. Conti provon në një aksion personal, por goditja e tij ndalet në shtyllë.

Atalanta reagon menjëherë dhe gjen edhe sërish rrugën e rrjetës me Miranchuk, që realizon një gol shumë të bukur. Mbyllet 4-0 një ndeshje e dominuar totalisht nga skuadra e Gasperinit.

Foto: Atalanta B.C Twitter

Itali-Serie A – Java e 27-të

Atalanta-Sampdoria 4-0

Pasalic 6’, Koopmeiners 29’, 61’, Miranchuk 86’

You may also like