Dje dështoi raundi i parë për zgjedhjen e Presidentit të ri, zbardhet çfarë do të ndodhë sot në orën 10:00

by admin
Spread the love

Ditën e djeshme dështoi raundi i parë për zgjedhjen e presidentit të ri. Seanca plenare e ditës së hënë e mbajtur në orën 17:00 zgjati vetëm 3 minuta, ku u njoftua se nuk është regjistruar asnjë kandidaturë nga palët politike.

Ndonëse nuk kishte asnjë kandidat për t’u votuar, sipas Kushtetutës së Shqipërisë ky quhet si një raund votimi i ezauruar, dhe më pas do të vijohet me raundet e tjera.

Pikërisht për të përcaktuar një datë të re, do të mblidhet ditën e sotme Konferenca e Kryetarëve, në orën 10:00. Raundi i dytë, duhet të jetë brenda 7 ditësh, pra deri më 24 maj.

Kujtojmë se Kushtetuta parashikon 5 raunde votimi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Në tre raundet e para, Presidenti duhet të zgjidhet me 3/5 e votave, pra 84 vota. Sipas ndryshimeve të bëra në Kushtetutë, në rast se në fund të tre raundeve nuk është zgjedhur ende një person, atëherë kalohet në raundin e katërt, ku Presidenti duhet të zgjidhet me 71 vota.

Nëse në raundin e katërt njëri prej kandidatëve të mbetur në garë nuk siguron 71 vota, kalohet për votim në raundin e pestë, ku sërish duhen 71 vota. Nëse dështohet edhe në raundin e pestë, atëherë shpërndahet Parlamenti dhe shkohet në zgjedhje të parakohshme dhe do të jetë maxhoranca e re që do të zgjedhë Presidentin.

You may also like