Disfata e Tsiprasit, si antimodel për Albin Kurtin

by admin
Spread the love

Maratona e zgjedhjeve greke u mbyll të dielën që shkoi me një fitore të qartë të kryeministrit Micotaqis dhe me një rënie të pandalshme të së majtës së Aleksis Tsiprasit. Nëse në krahasim me garën elektorale të 21 majit, Demokracia e re e rriti rezultatin e saj me afro 50 deputetë (158 nga 300 që ka parlamenti grek), Siriza u ul brenda 5 javësh edhe me mbi 2 pikë, duke zbritur në 17%.

Kjo rënie e pandalshme e kryeministrit surprizë të viteve 2015-2019, që frikësoi dhe tronditi skenën politike europiane duke u ngritur në pushtet si një forcë radikale që ofronte zgjidhje krejt të kundërta nga ato të Brukselit, FMN dhe Bankës Botërore përkarshi krizës greke, e kërkon një shpjegim. Ajo nuk ndjell kërshëri vetëm për idhtarët apo admiruesit e së majtës, por zgjon interes pasi, në një farë mënyre, është një skenar i parakohëshëm i asaj që po ndodh këtej nga anët tona.

Shepesh nëpër sallonet e politikës, apo prej atyre që i kanë për zemër krahasimet thjeshtëzuese, Aleksis Tsiprasin e kanë krahasuar me Albin Kurtin në Kosovë. Të dy të majtë, për disa radikalë, për të tjerë në ekstrem, të dy themelues partish anti sistem, të dy me një papajtueshmëri të dukshme ndaj oligarkisë financiare, të dy sovranistë dhe të dy me një mosbesim të dukshëm ndaj recetave të gatshme, shpesh gjëmëndjellëse, që sugjerojnë me arrogancë ndërkombëtarët. 

Mes të dyve, i majti radikal grek e provoi i pari eksperiencën e pushtetit. Duke përfituar nga katastrofa humane dhe sociale që shkaktoi tragjedia e borxhit, si dhe menaxhimi katastrofal, që dy partitë tradicionale, me rekomandimet çnjerëzore të trojkës i bënë krizës, ai mbërriti në 2019 në postin e kryeministrit, duke u ngritur mbi gërmadhat e së majtës social demokrate të PASOK. Ai fitoi falë një programi ambicioz që nuk e pranonte idenë cinike se kostoja e shpejtë e shlyerjes së borxhit ndaj bankave ndërkombëtare duhet të binte në mënyrë të pamëshirshme mbi grekët më të pambrojtur, ai arriti të bindë duke kundërshtuar recetat e teknokratëve që këmbëngulnin në zgjidhjet e tyre edhe kur në terren shkaktonin drama të mëdha njerëzore.

Por pas fitores, pasuan presioni, shantazhi, furia karikaturizuese në shtypin ndërkombëtar. Planit të qeverisë greke, që paraqiste një alternativë të ndryshme ndaj memorandumit mbytës për vendin, trojka iu përgjigj me mbylljen e bankave dhe kërcënimin për daljen nga zona euro. Ndonëse në kushte ektreme, elektorati grek e mbështeti Tsiprasin dhe i dha atij, në një referendum të beftë, 60% mandat për ta kundërshtuar trojkën, pavarësisht nga kostot, nga kundërshtimet e opozitës, establishmentit lokal dhe atij të huaj. Por këtu ndodhi e papritura. Atë e përshkruan në mënyrë të mrekullueshme në librin e tij “Adults in the room”, ish ministri i financave dhe ekonomisti intelektual, Yanis Varufakis. Pikërisht në ditën e vet të triumfit elektoral, Tsipras vendosi të bëjë prapaktheu. Ai i tha po memorandumit të ndërkombëtarëve, duke përçarë partinë dhe duke i kthyer shpinën besimit që i patën dhënë votuesit. Në zgjedhjet e 2019 Syriza e humbi pushtetin dhe ra në 32%. Në maj të këtij viti zbriti 20% ndërsa të dielën në 17%. Grekëve me sa duket nuk i’u duhej më një lider anti sistem që sillej njësoj si një anëtar i Nea Demokracisë apo i PASOK. Ata i kthyen një pjesë të votave tek forcat tredicionale. Po të qe për një lake të establishmentit ndërkombëtar, ata mandatonin ata që ia kishin marrë dorën këtij roli. Ata nuk ia falën kurrë besimin e tradhëtuar dhe shpresat e vrara, heroit të dikurshëm të së majtës radikale.

Aktualisht në Kosovë, Albin Kurti ndodhtet pakashumë në momentin kyç ku gjendej Aleksis Tsipras pas referendumit të 2015, me ndryshimin e vetëm se kërcënimi ndaj vendit të tij është teritorial, ndërsa ai ndaj të dytit qe financiar. Ai po presionohet me sanksione nga ndërkombëtarët, po shantazhohet të shkelë sovranitetin e republikës, në emër të recetave të diskutueshme, që i propozojnë negociatorët ndërkombëtarë, në sens krejt të kundërt me mandatin që ka marrë prej popullit të vet. Përballë tij, janë tipologji të njëjta personazhesh, që i portretizon mjeshtërisht në librin e vet Varufakis, nga ata që nuk duan të dinë as për logjikë kundërshtimi, as për sens drejtësie, as për ndjenjë barazie, por që sillen si robotë fanatikë të formulave të parapërgatitura dhe të pa lëvizshme.

Trysnia për Asocacionin/ A do dorëzohet Albin Kurti?

Pyetja është, a do të përkulet Albin Kurti përpara tyre në emër të një solidariteti momental me aleatët perendimorë, duke sakrifikuar interesat eterne të shtetit? A është i gatshëm ai që përballë presionit, ashtu sikurse Tsiprasi, të bëjë koncesione për të cilat nuk ka marrë mandat nga zgjedhësit? Kjo pyetje mbetet ende e hapur. Por në ndryshim nga pararadhësi i tij i majtë grek, kryeministri i Kosovës, e ka tashmë një shembull. Pirueta 180 gradëshe, tradhëtia ndaj bazës së vet elektorale, shndërrmi në një ingranazh të sistemit, prevalimi i konjukturës mbi demokracinë, e ndëshkoi në mënyrë pothuajse fatale Aleksis Tsiprasin. Përpara një njeriu që sillet ndryshe nga sa pretendon, njerëzit janë të prirur të zgjedhedhin origjinalin, qoftë ky edhe më i keq. Pikërisht për këtë ajo që ndodhi të dielën në Athinë është e rëndësishme edhe këtej nga anët tona. Ajo në një farë mënyre e bën me detyrim përcaktim dhe rugën e Kurtit.  

©Lajme

You may also like