Dinamo luan sezonin në Elbasan, sfidë interesante në Rrogozhinë

by admin
Spread the love

Do të startojnë sot ndeshjet e javës së 27-të të kampionatit shqiptar të futbollit, sfidat e fundit të fazës së tretë të Superiores.

Ditën e sotme do të zhvillohen dy ndeshje shumë interesante të kampionatit, ndërsa tre sfidat e tjera do të zhvillohen të dielën dhe të hënën.

Në orën 13:45 në “Egnatia Arena” të Rrogozhinës do të luhet takimi Kukësi-Tirana. Bardheblutë janë skuadra më në formë e turneut dhe falë rezultateve të arritura qëndrojnë të vetëm në krye të renditjes.

Tirana ka 13 pikë më shumë se Laçi i vendit të dytë dhe në transfertën e sotme kërkon një tjetër rezultat pozitiv që t’i afrohet akoma më shumë titullit kampion.

Kukësi nuk ka shkëlqyer këtë sezon, por gjithsesi djemtë e Longos vazhdojnë të jenë në garë për një vend në Kupat e Europës. Vendi i dytë është vetëm 3 pikë larg dhe kuksianët kërkojnë suksesin që ti afrohen këtij objektivi.

Në orën 16:45 në “Elbasan Arena” do të luhet takimi Dinamo-Egnatia, një sfidë vendimtare në luftën për mbijetesë. Kryeqytetasit kanë nevojë për pikë që të mbajnë gjallë shpresat për të qëndruar në elitë. Një sukses përballë një rivali direkt do të çonte në 1 pikë diferencën me Egnatian, që zë vendin e 8-të në renditje.

Rrogozhinasit kanë marrë disa rezultate pozitive në javët e fundit (1 humbje në 5 ndeshje) dhe sot kërkojnë një tjetër sukses që të hedhin një hap të madh drejt shpëtimit. / Oversport.tv

You may also like