Dinamo dhe Partizani nuk dinë të shënojnë, VAR-i protagonist në derbi

by admin
Spread the love

Dinamo synonte tre pikë me peshë në luftën për mbijetesë, ndërsa Partizani tre pikë shprese për zonën europiane. Por nuk ka fitues në derbin e kryeqytetit në “Elbasan Arena” dhe të dyja skuadrat dalin të pakënaqura nga kjo sfidë.

VAR-i bëhet sërish vendimtar, pasi anulon një penallti të dhënë në favor të Dinamos, që mund të ndryshonte fatin e kësaj sfide. Një barazim, që nuk kënaq ambiciet e dy skuadrave, që komplikojnë objektivat e tyre sezonal.

Derbi i kryeqytetit luhet në “Elbasan Arena” në praninë e pak tifozëve. Partizani shfaqet i pari rrezikshëm me Rrapaj, që godet nga distanca, por portieri Harizaj është i vëmendshëm. Ibraimi jep sinjalin e parë për Dinamon, por portieri Hoxha reagon duke ruajtur portën të paprekur.

Sfida është e luftuar por mungojnë rastet e pastra për shënim. Në fund të pjesës së parë, Partizani i afrohet golit fillimisht me Malën dhe më pas me Carën dhe Kallakun, por Harizaj është i pakalueshëm.

Pjesa e parë mbyllet në barazim pa gola, ndërsa e dyta nis me të njëjtin ritëm. Skuadrat duket se kanë frikë nga humbja dhe nuk hidhen në aventurë. Kallaku provon nga larg, por goditja e tij nuk është e saktë. Provon edhe Skuka, por Harizaj nuk lejon që topi të shkojë në rrjetë.

Momenti më i rëndësishëm i derbit ndodh në minutën e 76-të. Gjyqtari Jorgji jep penallti për Dinamon dhe ndëshkon me karton të kuq Muratajn. Por ndërhyn VAR, që anulon penalltinë për skuadrën blu, që duhet të kënaqet me një goditje dënimi.

Djemtë e Devollit, në superioritet numerik, mundohen që të gjejnë golin e fitores, por edhe “të kuqtë” zbresin rrezikshëm dhe i afrohen golit me Kallakun. Dinamo mundohet të marrë tre pikë shprese, por nuk arrin që të zhbllokojë këtë sfidë. / Oversport.tv

You may also like