Dëshmi e demokracisë në SBASHK karshi presioneve të Qeverisë

by admin
Spread the love

SBASHK-u ishte dhe mbetet sindikatë e atyre që e kanë
lirinë e plotë të mendimit dhe të votës së lirë. I kthyer në kujtesën e
ngjarjeve të shënuara e filmuara nga mediet, ky realitet dëshmon se greva
kishte edhe në Qeveritë e kaluara në Kosovën e pasluftës, por kurrë nuk kishte
goditje  të ulëta e të turrit  të militantëve
partiakë  me sharje, përbuzje e linçime siç po ndodh tani e sa kohë
nga Qeveria e telallët e saj.  

Qeveria Kurti nuk do dialog e zgjidhje të kërkesave të
grevistëve, kërkesa këto të prezantuara e të mohuara e të  injoruara
tani e sa muaj, por do rrugëtimin e vetë të përbuzjes, nënçmimit, linçimit
përmes deklaratave, që pastaj shumëfishohen e pasurohen  nga
militantë nëpër facebook. 

Ikje nga dialogu me sindikatat, që pushteti do t’i shoh
të shuara, e vizitat nëpër komuna me dhembje të rrejshme për situatën dhe për
fëmijët që nuk janë në shkollë e për qytetarë që nuk po mund të marrin një
dokument në komunë janë rrugëtim i gabuar i qeverisë. Në vend të kësaj duhet
dialogu i sinqertë e në prani të medieve të nderuara  për të dalë nga
kjo situatë. Por,  mbase  kjo situatë po i konvenon Kurtit
dhe qeverisë së tij. Një kryeministër që vërtetë e do vendin e tij kurrë nuk do
t’i nënshtrohej tekave të tij, që në vend të debatit e zgjidhjes së kërkesave
të grevistëve, të merrte një fjali e të përqeshte atë që shkoi në takim bashkë
me anëtarë të tjerë të Këshillit Grevist e që kishin qëllimin më të mirë që të
debatohej sinqerisht dhe që të arrihej te marrëveshja e pranueshme.  

Duke parë gjithë këtë luftë kundër zërit sindikal të
anëtarësisë e duke demantuar me fakte e argumente se as SBASHK e as Sindikata e
shërbyesve civilë nuk kanë vepruar kurrë e as nuk veprojnë si qeveria tani me
shantazhe e kërcënime ndaj grevistëve, po respektojnë vullnetin dhe zërin e
anëtarësisë e për ta lehtësuar plagën në shpirtrat e një numri të vogël të
anëtarësisë, që nga presionet e vazhdueshme të qeveritarëve po ndahen nga
mijëra e mijëra kolegë grevistë dolëm  dhe e
treguam  publikisht se  SBASHK  ka frymuar dhe
vazhdon të frymojë lirshëm dhe se ishte dhe mbetet shembull i shkëlqyer i
demokracisë. Mbetet i tillë edhe tani karshi presioneve të papara të Qeverisë e
një pjese të  fansave  të saj, që kanë humbur njerëzoren
dhe krenarinë e traditën e kombit tonë. 

Ju numri tepër i vogël i kolegeve e kolegëve tanë që po
ia bëni qejfin pushtetarëve sot është zgjedhje e lirë juaja, por kolegët tuaj
në kohë të tjera kur qeverisnin partitë që ata i kishin votuar, qëndronin të pa
luhatur në grevat e tyre për të realizuar kërkesat legjitime e  duke
ruajtur unitetin me moton Bashkë e në SBASHK.   Mijëra të
punësuar në arsim  që nga çerdhet e deri në universitete dhe ata në
shërbimet publike vazhdojnë të qëndrojnë dinjitetshëm në grevën, që nuk e
deshën, por erdhën deri te ajo pasi që qeveria injoroi e po injoron dialogun
serioz dhe kërkesat e tyre. Qeveria me angazhime konkrete e vendime të
pranueshme për të dy palët duhet të dëshmohet se është e shqetësuar vërtetë për
gjendjen e krijuar. Ajo, në vend të kësaj, vazhdon me presionet ndaj grevistëve
dhe tregon se qëllimi i saj, sikur është, futja e përçarjes dhe ngulfatja e
zërit sindikal. Këtë askush nuk e ka arritur deri tani e nuk do ta arrij dot as
kjo qeveri.   

You may also like