Dërgon shqiptarët në Angli me gomone, media britanike fut në kurth “Luanin e Artë”

by admin
Spread the love

Media e njohur britanike “Daily Mail” ka publikuar këtë të hënë një investigim ku shfaqet një shqiptar që merret me kalimin e emgrantëve shqiptarë nga Franca në Angli.

Shqiptari i ashtuquajturi “Luani i Artë”, fiton rreth 1 milion paund në javë duke dërguar emigrantë me gomone në Britani.

Ai u tha gazetarëve të paraqitur si klientë se mund t’i merrte për 4500 £ secili dhe premtoi se autoritetet britanike do t’u jepnin ushqim, batanije dhe gjithçka që u nevojiteshin përpara se t’i vendosnin në një hotel. “Pas kësaj, ju mund të shkoni ku të doni”, tha ai.

Sipas “Daily Mail”, ai është vetëm përfaqësues i një prej shumë bandash të organizuara trafikimi që qëndrojnë në Francën veriore, ku mendohet se njëra prej tyre ka 600 njerëz që presin në radhë për të hipur në gomone.

Shqiptari është kapur nga policia franceze disa orë pasi u takua me gazetarët e infiltruar, por u lirua mëngjesin tjetër, thuhet më tej në artikull.

Sipas shifrave zyrtare të autoriteteve britanike, 32 mijë emigrantë të paligjshëm kanë kaluar kanalin e La Manshit këtë vit, më shumë sesa i gjithë viti 2021. Po sipas tyre, shqiptarët përbëjnë 60% të emigrantëve që kanë mbërritur përgjatë verës.

Udhëtimet me varka shpesh janë të rrezikshme dhe me raste, edhe vrastare. Nëntorin e kaluar, një varkë me 27 emigrantë u mbyt pranë brigjeve të Kalesë (Calais), mes të cilëve kishte edhe fëmijë.

 

You may also like