“Derbi i Italisë” nis 3 kundër 3, në fushë zbresin ish-ët e Interit dhe Juventusit

by admin
Spread the love

Në Torino, të dielën në orën 20:45, pa dyshim që sytë e Italisë, por edhe e të paktën 500 milionë sportdashësve në botë do të jenë të drejtuara nga “Allianz Stadium”, pasi në skenë Juventusi dhe Interi, do të kërkojnë respektivisht kreun, ose tentativën e parë të vërtetë për arratisje. Për këto dy skuadra do të jetë ndeshja numër 181 në Serinë A, por ndërkohë vështirësia që ajo mbart është aq e madhe sa është edhe e vështirë që ta lexosh qoftë edhe në letër.

Për trajnerët, Masimiliano Alegri dhe Simone Inzagi, pauza e kombëtareve ka qenë një ndihmë e madhe për të menduar strategjitë e tyre të ndryshme, për momentet e ndryshme që mund të ofrojë ky duel. Por deri atëherë, 3 ikona të Juventusit dhe 3 të Interit, mundohen që të zbërthejnë sfidën, pse jo të këshillojnë në distancë dhe të karikojnë skuadrat respektive, lidhur me këtë ndeshje që paralajmërohet madhështore. Fakti që të dyja ekipet janë në një moment të shkëlqyer garanton shumë, edhe pse së fundmi disa dëmtime në të dyja kampet, sidomos në kampin torinezë, duket se mund të ketë prishur disa skema apo detaje në kokën e trajnerëve të të dyja skuadrave, por që do të kenë kohë të korrigjohen, ndoshta edhe falë këshillave të dy triove më poshtë.

JUVENTINËT

Markizio: Tani dimë të vuajmë, vë gjithçka kam te Kieza

markizio

Mes specialistëve të “Derbit të Italisë” është Klaudio Markizio. Goli i tij i 2-1, më 5 dhjetor 2009 ishte sa i bukur, aq edhe me peshë, duke i ofruar fitoren Juventusit, përballë atij Interit të Zhoze Murinjos, që verën pasardhëse do të festonte tripletën e famshme: “Të shënosh ndaj Interit për ne juventinët ka gjithmonë një ndjesi të veçantë. Për mua do të jetë një derbi shumë i rëndësishëm, pasi si Juvja, ashtu edhe Interi, janë në një moment vërtet të mirë. Nëse Alegri e Inzagi do të rikuperojnë edhe ndonjë pas kombëtareve, edhe më mirë, pasi garanton edhe më shumë spektakël. Nëse shohim të dyja skuadrat, Interi ka më shumë eksperiencë në çdo detaj dhe duket superior. Por ky Juventus sivjet ka treguar se di të përballojë vuajtjet dhe atëherë kur nuk e pret, të godet. Kështu ka vendosur një seri të rëndësishme fitoresh. Pastaj unë vë gjithçka te Kieza, një lojtar që Interi s’e ka”, tha fituesi i 7 titujve kampionë me Juven.

Kovaçeviç: Dushan Vlahoviç të bëjë si unë kundër Perucit

darko kovacevic

Darko Kovaçeviç gërvishti në vitin 2000 fitoren e Juventusit në “San Siro”, kundër Interit në shifrat 2-1. “Një ndër ndeshjet e mia më të rëndësishme në karrierë, nga ato ndeshje që e mbaj mend me nostalgji dhe ku luajta më mirë. Në atë takim mbaj mend se na mungonte Zidan dhe Ançeloti u tregua shumë kurajoz, duke na hedhur të treve në sulm, mua Del Pieron dhe Inzagin. Një eksperiment që në fund i dha dhe na dha të drejtë të gjithëve. Në atë periudhë te Juvja ndihesha një perëndi, siç tregon goli i parë me një parabol nga larg, sapo pashë Perucin që kishte lënë portën. Dhe asitin ma ofroi Inzagi… Ndërkohë shënova edhe të dytin, pas krosimit të Pesotos, një aksion në të cilin Peruci, as që e pa ta paraprija… Kur shoh sot te Juvja, mendoj se Vlahoviç më ngjason shumë, por është më teknik dhe më i shpejtë se unë. Kështu që shpresoj që ai të frymëzohet nga unë dhe të kopjojë lëvizjet e mia kundër Perucit. Kam besim te Dushani” u shpreh Kovaçeviç .

Takinardi: Jepi Adrien, shëno një gol ‘alla Takinardi’

24 Jul 2001:  Alessio Tacchinardi of Juventus in action during the pre-season friendly between Val D''Aosta and Juventus.  DIGITAL IMAGE Mandatory Credit: Grazia Neri/ALLSPORT

24 Jul 2001: Alessio Tacchinardi of Juventus in action during the pre-season friendly between Val D”Aosta and Juventus. DIGITAL IMAGE Mandatory Credit: Grazia Neri/ALLSPORT

“Nuk kam shënuar shumë gola në karrierë, ama secilin që kam dërguar në rrjetë ka mbetur gjatë në histori. Dhe një ndër më të bukurit është ai i sezonit 2000-2001 në ‘Dele Alpi’, kur fituam 3-1 kundër Interit”. E nis kështu Alesio Takinardi historinë personale që e lidh me këtë sfidë, teksa me Juventusin shijoi 404 prezenca dhe 15 gola të shënuar. “Në atë aksion mbaj mend një top në ajër që po vinte nga e majta dhe sapo e pashë, e kuptova se mund t’i gjeja kohën fluturimthi dhe nuk ngurova. Një gol ekzemplar, i cila vuri në dishezë atë fitore tonën të rëndësishme. Por mesa shoh tani te Juventusi, goditje si këto i gjen edhe tek Adrien Rabio, prandaj pse jo, pres nga francezi që të tentojë dhe pse jo të shënojë një gol ‘alla Takinardi’ në këtë ‘Derbi të Italisë’. Kush mund të jetë njeriu i ndeshjes për Alegrin? Për mua duhet të jetë uria, pasi në duele të ndjerë si këto me Interin, është pikërisht uria dhe dëshira për të fituar që bën diferencën”.

INTERISTËT

Sezar: Zomer është një garanci, di si ta mbyllë portën

hulio sezar

“Derbi im i preferuar ndaj Juventusit është ai i golit madhështor të Maikonit në sezonin e tripletës. Fituam 2-0 ndaj Juventusit, ku në fund shënoi edhe Eto, i cili i vuri kapak një sfidë të vështirë”. Ndonëse detyra e tij ka qenë që të shmangte golat e Juventusit dhe jo vetëm, Zhulio Sezar, është nga ata që nga larg ndoshta ka pasur përballë “ekranin më gjigant” që ekziston për të shijuar apo edhe jo, duelet që ka përjetuar kundër bardhezinjve: “Ato ndaj Juves janë sfida shumë të ngjashme që për nga ana emocionale, mund të krahasohen vetëm me derbit kundër Milanit. Por ky Inter sivjet duket shumë i kompletuar dhe nga ana statistikore, shkon dominues në çdo aspekt. Por sivjet zikaltrit kanë edhe një pikë të fortë, Jan Zomer. Portieri zviceran më pëlqen shumë, pasi jo vetëm që garanton qetësi, por me daljet e tij shpesh surprizon, por në të njëjtën kohë tremb edhe rivalët. Zomer do të jetë një nga pikat e fortë. Kam besim tek ai”.

Di Biaxho: Juvja si një vullkan, Inzagi i besoi Fratezit

di biaxho

“Unë di të them vetëm diçka: të dielën mund të përfundojë në çdo mënyrë, por në fund Interi do ta fitojë shumë lehtë këtë kampionat. Është shumë, por realisht shumë më i fortë se të gjithë të tjerë. Janë të kompletuar në çdo repart dhe madje sivjet kanë edhe një luks të tepruar në stol”. Ish-mesfushori i Interit dhe ishtrajneri i Dinamos së Tiranës, Luixhi Di Biaxho, nuk kërkon që të karikojë më shumë seç duhet këtë ndeshje, por tashmë edhe si trajner, i mjafton fundi i udhëtimit, jo një 90 minutësh. “Kur shoh këtë Inter, ajo që më bën zili është cilësia e tepruar që kanë në mesfushë. Inzagi ka aq shumë probleme, në aspektin pozitiv, sa ka guximin që të lërë në stol edhe një si Fratezi, që kudo do të ishte një titullar dhe bën shumë detyra në fushë. Nëse do të isha si Inzagi, do t’i jepja një besim Fratezit, pasi garanton forcë fizike dhe lëvizshmëri, pikërisht ajo që duhet përballë një Juveje që duket si një vullkan, gati për të shpërthyer”.

Bergomi: Inter, mund t’i shtrish me një të… majtë

bergomi

Një ish-kapiten legjendar dhe një ndër personat që prej dekadash ndjek dhe komenton pa pushim ndeshjet e Interit. Kështu që kush më mirë mund t’i japë një këshillë përpara duelit me Juventusin, Simone Inzagit: “Duke parë atë çfarë ka bërë Juventusi në këto 5-6 ndeshje të fundit ku ka fituar edhe pse me diferencë të ngushtë, atëherë e vetmja gjë që pres nga Interi është që të jenë të duruar. Një skuadër të duruar si Juventusi, që mjaftohet të godasë edhe vetëm një herë në 90 minutë, mund të mundet vetëm duke i përdorur të njëjtën armë të fortë saj. Bardhezinjtë gjithashtu janë shumë të rrezikshëm në goditjet standarte, pasi nëse Interi ka shumë klas, bardhezinjtë mund të rreshtojnë muskuj e gjatësi pa fund. Por Interi ka edhe një armë, një korsi të majtë ku Dimarko e Fratezi ofrojnë shpejtësi, teknikë dhe saktësi në krosim e goditje. Këtë fakt Juvja mund të vuajë, pasi e korsia e tyre e djathtë lë shpesh hapësira”.

Përgatiti: JETON STAMOLLA-PANORAMASPORT.AL

 

 

You may also like