Derbi dëmtoi stadiumin/ U thyen stolat në ndeshjen e fundit, dëmi 30 mijë euro

by admin
Spread the love

Tifozeria është një nga elementët më të bukur të një ndeshjeje futbolli apo sic thonë aktorët, për ato luhet futbolli.

Por ajo që lënë pas është pjesa më e shëmtuar në disa sektorë të stadiumeve. Air Albania impianti më modern dhe më i bukur i vendit tonë është gjithmonë në vitet e fundit streha e tifozerive kryeqytetase.

Kur luhet derbi emocionet tejkalojnë çdo gjë dhe pozitive apo negative qofshin ato, sjellin pasoja si fizike për këtë impiant ashtu edhe ekonomike.

Ndeshja e fundit derbi Partizani-Tirana, ku ishin të pranishëm mbi 14.000 tifozë solli të ardhura të majme, në pamje të parë për klubin e Partizanit që ishte pritës, rreth 120 mln lekë nga biletat e shitura.

Por kalojnë pak ditë dhe në bërjen e llogarive bien në sy një shpenzim prej 11.500 euro dëm ndaj klubit të kuq që janë kanë bërë vetë tifozët, me 115 stola të thyer, nga 296 stola të thyer në total.

Ndërkohë 181 stola rezultojnë të thyer në krahun ku qëndronte tifozeria ultras bardheblu që si për ironi të fatit, pavarësisht fitores së skuadrës së tyre, i kanë sjellë klubit një dëm financiar rreth 18.100 euro.

Drejtoria e stadiumit Air Albania bën të ditur për Top Channel se në total dëmi i kësaj ndeshjeje arrin shifrën e 30.000 eurove dhe jo vetëm kaq, por në magazinat e tyre kanë mbetur vetëm 6 stola rezervë përveç këtyre që do të zëvendësohen.

Një situatë kritike që ka detyruar ata të mbyllin dyert e stadiumit kombëtarë deri më 16 nëntor ku kuqezinjtë do të masin forcat në një ndeshje miqësore me kampionët e Europës të Italisë. Deri në atë datë as Tirana dhe as Partizani nuk do të kenë më mundësi që të luajnë në këtë impiant.

Një rutinë kjo e thyerjes së stolave që ka vënë në diskutim tashmë edhe zëvendësimin e tyre duke qenë se kanë një kosto rreth 100 euro për ulëse, e si rrjedhojë, ndoshta pjesa pas portave do të gjendet mënyra e zëvendësimit me një model tjetër për të evituar dëme të tilla me dhjetëra mijëra euro, por që sigurisht mund të sjellë edhe një ndryshim në pamje, të një prej impianteve më modern futbollistik të vendit tonë.


Top Channel

You may also like