Deputeti i Bundestagut: Mungesa e perspektivës realiste nga BE-ja, i jep Rusisë hapësirë për ta destabilizuar Ballkanin

by admin
Spread the love

Knut Abraham: Rusia synon të destabilizojë vendet që aspirojnë BE-në, pranimi i Kosovës në KE do të dërgonte një sinjal në këtë krizë.

Deputeti i Bundestagut, Knut Abraham, në një intervistë
ekskluzive për Ekonomia Online, ka thënë se ekziston rreziku real që Rusia, pas
Ukrainës, të përpiqet ta destabilizojë gjithë Ballkanin.

Sipas Abraham, Rusia ka treguar vitet e fundit se në
mënyrë aktive kërkon të destabilizojë vendet që aspirojnë integrimin në BE. Për
të parandaluar këtë, sipas tij, përgjigja duhet të jetë një politikë shumë më
aktive dhe më e besueshme e BE-së ndaj të gjitha vendeve të Ballkanit
Perëndimor.

“Sot fatkeqësisht duhet të konstatojmë se procesi i
zgjerimit të BE-së ka humbur besueshmërinë. Raportet për shtetet të Komisionit
Evropian tregojnë qartë se procesi është në një krizë të thellë dhe se
aktualisht nuk ka asnjë motivim për reforma”.

“Mungesa e perspektivave realiste të BE-së i jep Rusisë
hapësirë për të destabilizuar rajonin. Ky rrezik ekziston. Por, ne nuk duhet ta
lejojmë këtë. Qeveria gjermane gjithashtu duhet të veprojë shumë më mënyrë
proaktive dhe kreative”, ka theksuar anëtari i Unionit Kristian Demokrat (CDU).

Abraham është, po ashtu, anëtar i delegacionit gjerman në
Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE). Ai shërben në Komisionin
për Çështje Juridike dhe të Drejtat e Njeriut.

Para disa ditësh, ai kërkoi anëtarësimin e Kosovës në
Këshillin e Evropës, megjithëse Kosova ende nuk është njohur nga pesë shtetet e
BE-së.

Duke e shpjeguar më tej propozimin e tij, Abraham thekson
se kjo ka të bëjë edhe me dërgimin e një sinjali, në këtë krizë aktuale, dhe
pranimi i Kosovës nuk varet nga pesë vendet mosnjohëse.

“Për anëtarësim kërkohet një shumicë prej dy të tretash
në Komitetin e Ministrave (31 vota). Nga 46 shtetet e Këshillit të Evropës, 34
e kanë njohur tashmë Kosovën. Tani duhet të mbështesni edhe pranimin e Kosovës
për të treguar se Këshilli i Evropës mbetet një institucion i rëndësishëm që
bashkon demokracitë evropiane të përkushtuara për të drejtat e njeriut”,
shprehet ai.

Ndërsa i pyetur rreth mundësisë së anëtarësimit së Kosovës
në NATO, pas situatës në Ukrainë, Abrahamnuk beson se kjo mund të ndodhë
shpejt.“Për anëtarësim kërkohet unanimiteti, që në rastin e Kosovës
unanimiteti mbetet një sfidë”.

Por, ai thekson se BE-ja dhe NATO-ja mund të garantojnë
sigurinë e Kosovës pa u anëtarësuar në NATO. “Perspektiva e BE-së është
jashtëzakonisht e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në
rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

INTERVISTA E PLOTË:

Ekonomia Online: Kosova tash e
disa vjet është shndërruar në një fushëbetejë ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë. A
ka rrezik që Rusia do të mundohet ta destabilizojë Kosovën?

Knut Abraham: Rreziku nuk është vetëm për Kosovën, por për të gjithë Ballkanin. Rusia ka
treguar vitet e fundit se në mënyrë aktive kërkon të destabilizojë vendet që
aspirojnë integrimin në BE. Për të parandaluar këtë në Ballkanin Perëndimor,
përgjigja duhet të jetë një politikë shumë më aktive dhe më e besueshme e BE-së
ndaj të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo politikë e BE-së aktualisht
nuk ekziston. Kjo i mundëson Putinit të destabilizojë potencialisht rajonin.

Sot fatkeqësisht duhet të konstatojmë se procesi i
zgjerimit të BE-së ka humbur besueshmërinë. Raportet për shtetet të Komisionit
Evropian tregojnë qartë se procesi është në një krizë të thellë dhe se
aktualisht nuk ka asnjë motivim për reforma. Nga gjashtë vendet e Ballkanit
Perëndimor, vetëm Mali i Zi është duke negociuar me BE-në që nga viti 2012 dhe
Serbia që nga viti 2014, por pa ndonjë progres real. Maqedonia e Veriut dhe
Shqipëria morën statusin zyrtar kandidat në 2005 respektivisht në 2014 dhe kanë
ngecur për vite me radhë.

Në rastin e Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës, është ende e
paqartë nëse dhe kur do të fillojnë negociatat. Mungesa e perspektivave
realiste të BE-së i jep Rusisë hapësirë për të destabilizuar rajonin. Ky rrezik
ekziston. Por ne nuk duhet ta lejojmë këtë. Qeveria gjermane gjithashtu duhet
të veprojë shumë më mënyrë proaktive dhe kreative.

Ekonomia Online: Në Bundestag ju
keni kërkuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Por Kosova ende nuk
është njohur nga pesë shtetet e BE-së. A është koha që edhe këto shtete të
bëjnë një hap përpara?

Knut Abraham: Sigurisht që do të ishte e rëndësishme që edhe këto vende ta njohin
Kosovën. Por ka të bëjë edhe me dërgimin e një sinjali në këtë krizë aktuale që
nuk varet nga këto pesë vende. Për ta thënë troç: nëse 34 shtetet e Këshillit
të Evropës që e kanë njohur tashmë Kosovën nuk janë as të gatshme për pranimin
e saj, atëherë njohja nga të pestët ka edhe më pak gjasa. Për anëtarësim
kërkohet një shumicë prej dy të tretash në Komitetin e Ministrave (31 vota).
Nga 46 shtetet e Këshillit të Evropës, 34 e kanë njohur tashmë Kosovën. Tani
duhet të mbështesni edhe pranimin e Kosovës për të treguar se Këshilli i
Evropës mbetet një institucion i rëndësishëm që bashkon demokracitë evropiane
të përkushtuara për të drejtat e njeriut.

Ekonomia Online: Pas situatës në
Ukrainë, a duhet të anëtarësohet Kosova në NATO?

Knut Abraham: NATO është një aleancë mbrojtëse. Ukraina dhe Gjeorgjia aplikuan të dyja
për anëtarësim në NATO në vitin 2008, por deri më tani kjo nuk ka ndodhur.
Megjithatë, për anëtarësim kërkohet unanimiteti, që në rastin e Kosovës
unanimiteti mbetet një sfidë. Perspektiva e BE-së është jashtëzakonisht e
rëndësishme për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit
Perëndimor. BE-ja dhe NATO-ja tashmë mund të garantojnë sigurinë e Kosovës pa u
anëtarësuar në NATO. Nuk duhet të ketë dhunë në Ballkanin Perëndimor.

Ekonomia Online: Kosova është i
vetmi vend pa liberalizim të vizave, a duhet ta përmbushë BE-ja këtë premtim?

Knut Abraham: Patjetër. Liberalizimi i vizave është jashtëzakonisht i rëndësishëm për
Kosovën dhe qeveria gjermane duhet të punojë në BE për të siguruar që kjo të
ndodhë sa më shpejt.

Ekonomia Online: Parlamenti
Evropian miratoi kërkesën e Ukrainës për anëtarësim në BE. A duhet të ketë një
dinamikë të re në anëtarësimin e Ballkanit në BE?

Knut Abraham: Ajo që nevojitet është një politikë e zgjerimit të BE-së që të jetë e
besueshme, të motivojë reformat në rajon dhe, mbi të gjitha, të ketë synim
pranimin e vendeve në BE pasi të plotësohen të gjitha kushtet. Kjo politikë
aktualisht nuk ekziston. Kjo është arsyeja pse unë mbështes idenë për t’u
ofruar të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor hyrjen në tregun e brendshëm
të BE-së si pjesë e një procesi me dy hapa, me qëllimin përfundimtar që të
mbetet anëtarësimi i plotë në BE. BE-ja ia bëri këtë ofertë Finlandës në vitin
1989. Më 1994 Finlanda u bë më pas pjesë e tregut të brendshëm të BE-së, duke
përfituar nga lëvizja e lirë e mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit
(“katër liritë”) derisa u bë anëtare e BE-së një vit më vonë. Një ofertë e
tillë për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, do të
krijonte një dinamikë të re dhe do të përshpejtonte afrimin e vendeve të
Ballkanit Perëndimor me BE-në.

Ekonomia Online: Serbia është i
vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe as nuk e ka
kritikuar pushtimin e Ukrainës. Si e shikon Berlini këtë situatë?

Knut Abraham: Nëse Serbia dëshiron të anëtarësohet në BE, atëherë duhet të jetë
gjithashtu e gatshme të mbështesë sanksionet e BE-së kundër agresorëve si
Rusia. Nëse Serbia vendos kundër, Beogradi duhet të jetë i vetëdijshëm se kjo
nuk do të ndodhë pa pasoja. BE-ja nuk ka qenë aq e bashkuar në politikën e
jashtme sa është në situatën aktuale për një kohë të gjatë. Prandaj, qeveria
serbe duhet të mendojë me kujdes se në cilën anë dëshiron të jetë. Në këtë
kontekst, e mirëpres faktin që Serbia dje në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së
u shpreh pro rezolutës kundër Rusisë dhe shpresoj që tani do të pasojnë
sanksionet e nevojshme. Edhe Zvicra, e cila ka një traditë të gjatë
neutraliteti, tani i është bashkuar qëndrimit të BE-së.

Ekonomia Online: Gjermania e ka
ndryshuar për 180 shkallë politikën e mbrojtjes, por edhe politikën e jashtme
ndaj Rusisë. Si do të reflektohet kjo në Ballkanin Lindor?

Knut Abraham: Ne duhet të ndërmarrim urgjentisht iniciativa diplomatike që e bëjnë një
konflikt të ri të armatosur atje (në Ballkan) po aq të paimagjinueshëm sa në
vetë BE-në. Kjo mund të arrihet vetëm përmes integrimit të besueshëm dhe
realist të të gjashtë shteteve në BE, që ende nuk ekziston. Kjo duhet të
ndryshojë shpejt.

You may also like