Deputetët u përgjuan në Greqi, parlamenti voton për ngritjen e komisionit hetimor

by admin
Spread the love

Me 142 vota pro nga 299 të pranishëm, ndërkohë që duheshin vetëm 120, ligjvënësit grekë votuan të hënën në mbrëmje në favor të krijimit të një komisioni hetimor parlamentar për skandalin e përgjimeve telefonike, pre e të cilave ishte Nikos Androulakis, eurodeputet dhe kreu i partisë socialiste PASOK-KINAL, partia e tretë më e madhe politike në Greqi.

Skandali në fjalë ka sjellë një tërmet politik në vend që ka detyruar kryeministrin Mitsotakis i cili ka marrë nën kontroll Shërbimin Informativ 3 vjet më parë kur erdhi në fuqi, të shkarkojë kreun e Inteligjencës dhe drejtorin e zyrës së tij, njëkohësisht nipi i tij,ndërsa ka pranuar se nuk ishte në dijeni për përgjimin e  telefonit të z.Androulakis proces që ishte i ligjshëm, por “politikisht i papranueshëm”, sipas tij.

Kërkesa e socialistëve grekë  për komisionin hetimor është miratuar nga të gjithë deputetët e opozitës në parlament , kurse 157 ligjvënësit e partisë qeveritare Demokracia e Re kanë abstenuar.

Sipas tyre zbulimi i arsyes së përgjimit do të shkelte ligjet ekzistuese. Por socialistët grekë dhe partitë e tjera opozitare kanë thënë se ka pikëpyetje të mëdha në këtë çështje që duhet të marrin përgjigje, se duhet bërë me dije përse u përgjua politikani në fjalë, se sa politikanë dhe gazetarë kanë qenë nën vëzhgim dhe  se kush vendosi përgjimin e ligjshëm të telefonave dhe përse.

Në një sondazh të fundit 58.3% e të anketuarve kanë deklaruar se skandali i përgjimeve ka dëmtuar besimin e tyre tek qeveria dhe gati dy të tretat e grekëve mendojnë negativisht për qëndrimin e Mitsotakis në këtë çështje, megjithëse 61% vlerësojnë se nuk do to ndikojë mbi votën në zgjedhjet e ardhshme .

Komisioni hetimor parlamentar i përbërë nga 29 deputetë, shumica nga konservatorët në fuqi,  fillon punimet të enjten dhe do të hetojë skandalin për gati një muaj.


Top Channel

You may also like