Darka e pa paguar…

by admin
Spread the love

Nga Lutfi Dervishi

Një darkë në restorantin e njohur Guva në Berat, prodhoi më shumë “lajme” dhe pëlqime se fletë arrestet e SPAK për 8 ish-zyrtarë të përfshirë në dosjen e sterilizimit.

Katër adoleshentë italianë, të qeshur dhe me bollëk energjish shijuan kuzhinën shqiptare, komplimentuan stafin për cilësinë dhe kur erdhi radha për të paguar u larguan fshehurazi me ngut nga restoranti. Fatura e pa paguar 80 euro!

Stafi i restorantit mbeti i hutuar, jo vetëm nga largimi i beftë, por edhe nga guximi i të rinjve.

Stafi postoi një video të shkurtër në rrjetet sociale ku tregonte adoleshentët duke u larguar nga restoranti.

“Stafi ynë i uron këtyre “zotërinjve” italianë pushime të mbara dhe me lekët e PAPAGUARA në restorantin tonë bëjnë diçka të mirë!!!”.

Deri këtu asgjë e jashtëzakonshme. Me shumë se humbjen financiare postimi shpreh zhgënjimin nga sjellja e adoleshentëve.

Portalet me shpejtësinë e zjarrit të korrikut në një pyll me shqopa e morën këtë “ngjarje” dhe e “zbukuruan” me tituj të bujshëm, përgjithësues e denigrues.

Rrëfimi u zhvendos me shpejtësi nga një akt minor keqbërje në një narrativë më të gjerë.

Ndërsa veprimi i të rinjve është i qortueshëm, media në vend të penelit mori në dorë një furçe të madhe për të pikturuar me tituj një popull dhe një vend të tërë dhe kë? Italinë, atdheun e 700 mijë emigrantëve shqiptarë ndër vite.

A mundet një incident i izoluar të mbushe boshllëkun me lajme të një ditë të nxehtë gushti?

Mediat sociale njihen për sensin e sensacionalizmit dhe polarizimit, por portalet me ndikim ne opinion mund të benin kujdes për të mos rënë në kurthin e përgjithësimeve dhe steriotipeve.

Ndoshta vetë restoranti mund të shërbejë si katalizator për të ndrequr shijen e titujve bombastik.

Jam kurioz nëse restoranti do të postojë “shkruajtëm për 4 adoleshentë italianë dhe jo për “turistët italianë” a do të bëhet lajm po aq viral sa video?

Media ka fuqinë për të formësuar perceptimet, për të ndikuar në debate dhe për të krijuar apo zhbërë stereotipet. Ndonëse akti i katër të rinjve ishte i gabuar, ai mund të jetë edhe një kujtesë se një ngjarje e vetme nuk mund të përgjithësojë njerëzit dhe vendet. Nuk mund të lidhet pylli me një litar…

The post Darka e pa paguar… appeared first on Shqip.

You may also like