Chelsea në majë të botës, Havertz shtang Palmeirasin në kohën shtesë

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Chelsea fiton Botërorin e Klubeve, pasi ka mposhtur në finalen e madhe në kohën shtesë brazilianët e Palmeirasit. Koha e rregullt është mbyllur në barazim 1-1, por 3 minuta para përfundimit të kohës shtesë, Kai Havertz ka shënuar nga pika e bardhë golin e fitores. Skuadra e Tuchel ngjitet në majë të Botës, pasi fiton këtë edicion të Botërorit të Klubeve.

Të dyja skuadrat janë treguar shumë të kujdesshme në pjesën e parë dhe si pasojë kanë munguar rastet e pastra në portat respektive. Chelsea dhe Palmeiras nuk duan të rrezikojnë, pasi duan të fitojnë me çdo kusht këtë trofe dhe pjesa e parë mbyllet në barazim 0-0.

Pjesa e dytë nis me gol, janë kampionët e Europës, ata që gjejnë rrugën e rrjetës me Romelu Lukakun. Callum Hudson-Odoi jep një pasim të saktë dhe belgu nuk e ka të vështirë të shtyjë topin në rrjetë.

Por gëzimi i Chelseat nuk zgjatë shumë, sepse kampionët e Amerikës Latine barazojnë shifrat pak minuta më vonë. Një lojtar i londinezëve prek topin me dorë në zonë dhe për gjyqtarin dhe VAR-in nuk ka dyshime: penallti.

Raphael Veiga tregohet i saktë nga pika e bardhë dhe barazon rezultatin e kësaj sfide. Christian Pulisic ka një shans të mirë për anglezët, por gjuajtja e tij përfundon jashtë.

Gjyqtari jep 5 minuta shtesë, por rezultati nuk ndryshon dhe për të mësuar kampionen e Botës, duhet të luhen 30 minutat e kohës shtesë.

Chelsea luan më mirë në shtesën e parë, por nuk arrin që të gjejë rrugën e rrjetës. Kur dukej se fituesja e këtij trofeu do të vendosej nga penalltitë, londinezët arrijnë të fitojnë një 11-metërsh, 3 minuta para përfundimit të takimit.

Havertz tregohet i saktë nga pika e bardhë dhe i jep Chelseat një fitore të vuajtur, që e ngjit skuadrën e Tuchel në majë të Botës. / Oversport.tv

Botërori i Klubeve – Finalja

Chelsea- Palmeiras 2- 1 (pas kohës shtesë)

Lukaku 55’ Havertz 117’ / Veiga 64’ (pen)

You may also like