Çfarë është ligji i luftës: Civilët nuk preken, armiku i plagosur ose i dorëzuar nuk vritet

by admin
Spread the love

Ligji Ndërkombëtar Humanitar është një gamë rregullash që kërkon për arsye humanitare të kufizojë efektet e një konflikti të armatosur. Ky ligj mbron personat të cilët nuk janë ose nuk marrin më pjesë në armiqësi dhe kufizojnë mjetet e metodat e luftës. Ligji Ndërkombëtar Humanitar është i njohur ndryshe si ligji i luftës ose si ligji i konfliktit të armatosur.

Ky ligj zbatohet në konfliktet e armatosura dhe nuk rregullon nëse një shtet mund të përdorë forcën pasi kjo rregullohet nga një pjesë rëndësishme, por e veçantë, e së drejtës ndërkombëtare të përcaktuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara. Ligji i luftës i ka rrënjët në rregullat e civilizimeve antike, ku lufta ka qenë gjithmonë subjekt i disa parimeve.

Kodifikimi universal i ligjit të luftës filloi në shekullin e XIX. Që prej atëherë shtetet kanë rënë dakord për disa rregulla praktike, bazuar edhe në eksperiencën e hidhur të luftërave moderne. Këto rregulla synojnë të ketë një balancë të kujdesshme mes shqetësimeve humanitare dhe kërkesave ushtarake të shteteve.

Një pjesë e madhe e ligjit ndërkombëtar humanitar është pjesë e katër Konventave të Gjenevës në vitin 1949. Pothuajse çdo shtet në botë ka pranuar që të jetë i lidhur me to. Konventat janë zhvilluar dhe plotësuar me dy marrëveshje të tjera: Protokollet Shtesë të 1977 lidhur me mbrojtjen e viktimave të konfliktit të armatosur. Të tjera marrëveshje ndalojnë përdorimin e disa armëve dhe taktikave ushtarake të caktuara dhe të mbrojnë disa kategori të caktuara njerëzish dhe infrastrukture.

Ligji zbatohet vetëm pasi të ketë filluar një konflikt, dhe pastaj në mënyrë të barabartë për të gjitha palët, pavarësisht se kush e filloi luftimin. Ligji i luftës ndahet mes konfliktit ndërkombëtar dhe jo-ndërkombëtar.

Konflikti i armatosur ndërkombëtar ndodh kur të paktën 2 shtete përfshihen në luftë. Ato i nënshtrohen një game të gjerë rregullash, duke përfshirë ato të përcaktuara në katër Konventat e Gjenevës dhe Protokollin Shtesë.

Konfliktet e armatosura jo-ndërkombëtare janë të kufizuara në territorin e një shteti duke përfshirë ose forcat e rregullta të armatosura kundër grupeve të armatosura disidente, ose luftimet e grupeve të armatosura mes njëra tjetrën. Një gamë më e kufizuar rregullash zbatohen për konfliktet e brendshme të armatosura dhe janë përcaktuar në nenin 3 të përbashkët për katër Konventat e Gjenevës, si dhe në Protokollin Shtesë.

Është e rëndësishme që të bëhet dallimi mes Ligjit Ndërkombëtar Humanitar dhe Ligjit për të Drejtat e Njeriut. Një nga dallimet parësore është që Ligji për të Drejtat e Njeriut zbatohet në kohë paqeje dhe shumë nga dispozitat e tij mund të pezullohen gjatë një konflikti të armatosur.

Ligji i luftës mbulon dy fusha: Mbrojtjen e atyre që nuk kanë marrë, ose nuk do të marrin më pjesë në luftime dhe kufizimin e mjeteve të luftës, në veçanti armëve dhe metodave të luftës, pra taktikave ushtarake. Ligji i luftës mbron civilët, stafin mjekësor dhe personelin fetar ushtarak. Të mbrojtur janë edhe të plagosurit, ushtarët e sëmurë dhe robërit e luftës.

Këto kategori personash kanë të drejtën që t’ju respektohet jeta dhe integriteti fizik e mendor. Po ashtu ata kanë garanci ligjore. Këta persona duhet që të mbrohen dhe të trajtohen njerëzisht në çdo rrethanë pa asnjë dallim. Me pak fjalë, është e ndaluar që të vrasësh apo plagosësh armikun, i cili është dorëzuar apo i paaftë për të luftuar. Në një konflikt të armatosur, personeli mjekësor, furnizimet, spitalet dhe ambulancat duhet të mbrohen të gjitha.

Ligji i luftës ndalon të përdoren mjete dhe mënyra ushtarake që prekin popullatën civile dhe pronën e tyre,  shkaktojnë lëndime të tepërta ose vuajtje të panevojshme; apo të shkaktojnë dëmtime të rënda ose afatgjata për mjedisin.  Ligji i luftës ka ndaluar përdorimin e shumë armëve duke përfshirë, plumbat shpërthyes, armët biologjike dhe kimike, armë lazer verbuese dhe mina kundër personelit. Shtetet janë të detyruara që t’ua mësojnë rregullat forcave të armatosura dhe publikut në përgjithësi.

You may also like