Hapi i parë në rrugën drejt hapjes së negociatave është skanimi (screening) i gjendjes në fushën e legjislacionit të BE-së (Acquis Communautaire). Më pastaj KE-ja paraqet raportin e “skanimit” për çdo kapitull të Acquis-së. KE-ja ia dorëzon Këshillit të BE-së një draft të ‘pozitës së përbashkët’ dhe pas aprovimit nga Këshilli hapen negociatat për 35 kapitujt e Acquis.
I tërë procesi i negociatave monitorohet shumë afër nga ana e KE-së dhe raportet e rregullta të progresit të shtetit kandidat hartohen mbi shkallën e përgatitjes së vendit për anëtarësim.
Me përfundim të negociatave të gjitha rezultatet e negociatave nga kapitujt e Acquis Communautaire përfshihen në draft Traktatin e anëtarësimit, i cili hartohet në pajtim ndërmjet Këshillit dhe shtetit kandidat. Ky projekt-traktat i dorëzohet KE-së për opinion dhe Parlamentit Evropian për aprovim.
Pas nënshkrimit, Traktati i anëtarësimit u dorëzohet shteteve anëtare dhe vendit kandidat për ratifikim në përputhje me procedurat kushtetuese të tyre respektive. Pasi që procesi i ratifikimit përfundon Traktati i anëtarësimit hyn në fuqi dhe shteti kandidat bëhet anëtar i BE-së.
Vendet të cilat janë në negociata për t’u bërë anëtarë të plotë të BE-së, duhet të negociojnë me institucionet e Unionit. Acquis-ja e BE-së është e ndarë në 35 kapituj të mëposhtme që përfshijnë legjislacionin e detyrueshme për ato vende.
1)Lëvizja e lirë e mallrave 2)Lëvizja e lirë e punëtorëve. 3)E drejta e krijimit dhe lirisë për të ofruar shërbime. 4) Lëvizja e lirë e kapitalit. 5)Prokurimi publik. 6)Ligji për kompanitë. 7)Pronësia intelektuale. 8)Politika e konkurrueshmërisë. 9)Shërbimet financiare. 10)Shoqëria e informacionit dhe media, 11)Bujqësia dhe zhvillimi rural. 12)Politika e sigurisë ushqimore veterinare e fitosanitare. 13)Peshkimi. 14)Politika e transportit 15)Energjia. 16)Taksimi. 17)Politika ekonomike e monetare. 18)Statistika. 19)Politika sociale e punësimi. 20)Politika industriale e ndërmarrjeve. 21)Rrjetet Trans-Europiane. 22)Politika rajonale e koordinimi i elementëve strukturorë. 23)Gjyqësori dhe të drejtat themelore. 24)Drejtësia, liria dhe siguria. 25)Shkenca dhe kërkimi shkencor. 26) Arsimi dhe kultura. 27)Mjedisi. 28)Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndeti. 29)Bashkimi doganor. 30)Marrëdhëniet me jashtë. 31)Politika e jashtme, sigurisë e mbrojtjes. 32)Kontrolli financiar. 33)Parashikimet financiare e buxhetore. 34)Institucionet. 35)Çështje të tjera.
Substanca e negociatave
Substanca e negociatave përfshin: përmbajtjen, parimet dhe objektivat politike të Traktateve mbi të cilat është themeluar Bashkimi Evropian, legjislacioni dhe vendimet e miratuara në përputhje me Traktatet dhe praktikën gjyqësore të Gjykata e Drejtësisë, akte të tjera, ligjërisht të detyrueshme ose jo, të miratuara brenda kuadrit të Unionit, si p.sh: marrëveshjet ndërinstitucionale, rezolutat, deklaratat, rekomandimet, udhëzimet etj.
Dy shteteve vec e vec do t’i duhet të prodhojnë përkthime të acquis në shqip dhe maqedonisht në kohën e duhur para anëtarësimit dhe do të duhet të trajnojnë një numër të mjaftueshëm përkthyesish të nevojshëm lidhur me këtë proces. /Muhamer Pajazit/INA/