Çeku: Rritje e ndjeshme e mbështetjes financiare për federatat e sportit 

by admin
Spread the love

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrulal Çeku, jep lajmin e mirë për federatat sportive.   

“Rritje e ndjeshme e mbështetjes financiare për federatat e sportit. 

Atë që e dëshmuam vitin e kaluar, sivjet po e çojmë një hap tutje. Mbështetja financiare për federatat e sportit, përmes memorandumeve vjetore, do të ketë rritje të konsiderueshme.

Buxheti i rritur për federatat nënkupton më shumë cilësi në sportet tona, më shumë mbështetje për sportistët tanë, e në veçanti më shumë mundësi për më të talentuarit. Synimi ynë i përbashkët është që e gjithë kjo në fund të përkthehet në rezultate sa më të mira në garat sportive botërore. 

Shuma e përgjithshmë e mbështetjes për Komitetin Olimpik, federatat e sportit dhe Komitetin Paralimpik vetëm përmes memorandumeve vjetore është mbi 3.7 milionë Euro. Megjithatë, kjo nuk do të jetë e tëra, pasi gjatë gjithë vitit Ministria do t’i mbështesë federatat e sportit me buxhet shtesë për projekte, programe dhe aktivitete të veçanta. 

Koeficienti i pikës për federatat e kategorisë A është rritur në 2200 Euro, ndërsa për kategorinë B do të jetë 1500 Euro.

Federatat e kategorisë C janë vlerësuar me koeficient të pikës prej 1200 Euro, ndërsa për kategorinë D është rritur në 1000 Euro. Natyrisht që financimi vjen me detyrime dhe në këtë pikë kemi qenë të qartë nga fillimi i mandatit tonë. 

Licensimi dhe rilicensimi i të gjitha federatave të sportit do të ndodhë muajve në vijim dhe ky është kusht i domosdoshëm për mbështetje financiare. Një tjetër faktor përcaktues për të gëzuar mbështetjen financiare për këtë vit është edhe rregullsia financiare për periudhat paraprake. Gjithashtu, federatat e sportit do t’i kenë edhe kuotat e detyrueshme buxhetore për të garantuar mbështetje për edukimin fizik të fëmijëve, sportin shkollor, fuqizimin e vajzave dhe përfshirjen e personave me aftësi të kufizuar në veprimtarinë sportive”, njofton Çeku.

You may also like