“Butës” i ngritet aktakuzë nga Prokuroria e Ferizajt – Shqip

by admin
Spread the love

18:45 | 22 Dhjetor 2021

Gati një vit pas publikimit të një mini-albumi në të cilin konfrontohet me prokurorë, reperit Buta i ka dal punë me organin e akuzës. Ata po e ndjekin penalisht Betim Januzin për armëmbajtje pa leje.

Një mini-album i reperit Betim Januzi – Buta, ngjan me një monolog të një drame krimi, në të cilin përmenden hetues, prokurorë e avokatë.

EP-ja (Extended Play) e Butës, e emërtuar “Babayega”, u publikua në fillim të vitit 2021. E plotësuar me pesë këngë, EP-ja trajton një temë të njëjtë në secilën prej këngëve. Historia e “Babayegës” së Butës është e ndërtuar mbi drogën, paratë por më së shumti mbi relacionet e tij, jo edhe aq korrekte, me shtetin.

Hetuesit policorë dhe prokurorët e shtetit paraqiten si “armiq” të reperit që i prishin atij punë në biznes, shkruan Paparaci.

Në këngën e titulluar “Rrjeti”, në të cilën përmenden armët, droga dhe problemet me drejtësinë, reperi nga Ferizaj shfryn mllefin ndaj një prokuroreje.

“Bravo i koft avokatit qe sa ja zgata un’ doren; Ja q**** robt deshmitarit, ja q**** robt prokurores”, thuhet shprehimisht në tekstin e këngës.

Në një këngë tjetër të mini-albumit, Buta përshkruan bisedën me një hetues policor të cilit i lutet të mos e thërrasë prokurorin.

“Une sjom qaty n’kamer, nashta ty o tu tu dok, mos e thirr qat prokuror, besom qe nuk ka nevoje”, thotë mes tjerash Betim Januzi, në tekstin e këngës “Nuk e di”.

Profecia e Butës tashmë është përmbushur. Deri diku, edhe realiteti i ngjarjeve të përshkruara prej tij.

Gati një vit pas publikimit të mini-albumit në të cilin i përmendi jo rrallë herë prokurorët, Butës i ka dal punë me organin e akuzës.

Departamenti i Krimeve të Rënda në Prokurorinë e Ferizajt i ngriti reperit muajin e kaluar një aktakuzë për “mbajtje të paautorizuar të armëve”.

Organi i akuzës ia ka dorëzuar gjykatës aktakuzën kundër Butës më 24 nëntor, ka thënë për Paparacin një zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Ferizaj të mërkurën.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, me datë 24 Nëntor 2021, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit B.J., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”, tha Vjosa Baftiu, një zëdhënëse e Prokurorisë.

Prokurorët, të cilët fyheshin brutalisht në këngët e reperit, po e ndjekin penalisht atë për një vepër penale që, sipas Kodit Penal, sanksionohet deri në pesë vjet burgim.

“Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet”, sipas Kodit Penal, neni 366.

Babayega e Butës është një “Extended Play” që në zhargonin e muzikës, dhe përkthyer në gjuhën shqipe, njihet si album i shkurtuar.

You may also like