Bumçi dhe Harxhi flasin në protestë: “Ballkani i Hapur” kërkon të çimentojë regjimet autoritare

by admin
Spread the love

Ish-ministri Aldo Bumçi ishte i pari që mbajti fjalën dje në tubimin para Kryeministrisë. Ish-kryeministri Sali Berisha mblodhi para Kryeministrisë disa qindra simpatizantë për të protestuar kundër “Ballkanit të Hapur”. Bumçi ishte ai që mbajti i pari fjalën duke sulmuar kryeministrin sa i takon raporteve me Serbinë.

“Mirë se keni ardhur në këtë bulevard, në këtë protestë madhështore. Kemi ardhur të protestojmë kundër projektit “Ballkani i Hapur”, projekt i cili do të çimentoje regjimet autoritare. Dhunuesit më të mëdhenj, duhet ti paraqesin si vlerat më të mëdha, ky është “Ballkani i Hapur”. SHBA e Brukseli kërkoi nga Serbia që të njihte Kosovën e kur pritej një marrëveshje e madhe, aleanca Rama-Vuçiç paraqiti projektin e ndarjes së Kosovës. Ky është dëmi më i madh që Rama i ka bërë Kosovës. Ky projekt dështoi, por nuk ndaluan Rama dhe Vuçiç, pas këtij projekti vazhduan me “Ballkanin e Hapur””, tha Bumçi.

Sipas tij, “Ballkani i Hapur” është fasada që Rama i jep Vuçiç.

“Rama i bën fasadën dhe thotë që ai është një lider evropian. Ky është Rama, që sot është dyshues për Kosovën. Ka vetëm një projekt evropian, nuk është projekt evropian “Ballkani i Hapur”. Ka vetëm një rrugë drejt Evropës, për të ndërtuar shoqëri demokratike e kjo arrihet duke ndërtuar opozitë. Opozita është e qartë, është në shesh, e këtë rrugë që kemi nisur do e çojmë deri në fund. Fitore, fitore, fitore. Protesta, protesta, protesta!”, tha Bumçi.

Një fjalë rasti mbajti edhe ish-zv/ministrja Edith Harxhi, e cila po ashtu ka qenë pjesë e qeverisë së Berisha kur ky i fundit ishte në pushtet.

“Ballkani i Hapur është vetëm një përrallë e shëmtuar që po serviret si hyrje në Europë. Po mundohen të joshin Kosovën e brishtë. Ku jemi sot? Në këtë shesh si në vitin 1999. Ne jemi ata që e bëjmë kombin. Kombi jonë është në rrezik nga Rama e Vuçiç për të shkatërruar Ballkanin. Ku ndodhet sot Lulzim Basha? Në 4 vitet e fundit që është diskutuar territori i Kosovës ka bërë vetëm një deklaratë nga PD. Kosova është Jerusalemi ynë. Sot vjen nga Prishtina deputetja e Ibrahim Rugovës Melihate Tërnkolli”, tha ajo.

You may also like