BULLGARI – Presidenti Radev i dorëzon ambasadores së Shqipërisë, Donika Hoxha Urdhrin e Kalorësit ”Madara”

by admin
Spread the love

SOFJE, 13 nëntor /ATSH-BTA/ – Presidenti bullgar, Rumen Radev dekoroi ambasadoren e Shqipërisë në Bullgari, Donika Hoxha me Urdhrin e Kalorësit ”Madara” të Klasit të Parë, në një ceremoni solemne në Pallatin e Armëve.

Kjo dekoratë shtetërore jepet për shërbimet e mëdha të ambasadores Hoxha në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe midis Bullgarisë dhe Shqipërisë.

”Ky vlerësim i lartë është shprehje e përpjekjeve të vazhdueshme të ambasadores Hoxha për të ndërtuar një partneritet mes vendeve tona të bazuara në besimin reciprok, mirëkuptimin dhe miqësinë”, tha Radev duke shtuar se ajo ka arritur të kontribuojë në zhvillimin, thellimin, zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe ruajtjen e dinamikave pozitive në dialogun politik në të gjitha nivelet.

Ai theksoi se gjatë mandatit të ambasadores Hoxha shkëmbimi tregtar dhe ekonomik mes Bullgarisë dhe Shqipërisë është dyfishuar.

Ai shtoi se fokusi i punës së ambasadores Hoxha është edhe thellimi i lidhjeve kulturore mes dy vendeve, në sfondin e 110-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe 30-vjetorit të nënshkrimit të Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bullgarisë.

”Marrëdhëniet me komunitetin e madh bullgar në Shqipëri janë gjithashtu pjesë e marrëdhënieve tona”, tha Radev.

Presidenti bullgar shprehu shpresën se qeveria shqiptare dhe të gjitha institucionet do të vazhdojnë të sigurojnë një mjedis të favorshëm për komunitetin bullgar në mënyrë që ai të ruajë historinë, kulturën, gjuhën dhe traditat e tij.

”Kjo është një urë e rëndësishme për të forcuar lidhjet kuptimplote mes dy popujve tanë miq”, theksoi Radev.

”Shqipëria dhe Bullgaria janë sot më shumë se kurrë partnerë besnikë”, tha ambasadorja Hoxha.

”Shqiptarët dhe bullgarët tani e njohin njëri-tjetrin më mirë dhe pakica bullgare në Shqipëri është një urë jashtëzakonisht e fortë në konsolidimin e marrëdhënieve tona tradicionalisht miqësore me shkëmbime më intensive dhe marrëveshje të reja”, shtoi ajo.

Ambasadorja Hoxha tha se dy vendet ndajnë vlera të përbashkëta si aleatë të NATO-s dhe potencialisht si vende anëtare të BE-së.

”Bullgaria ka provuar të jetë një mike e besueshme në kohët më të vështira, por ne nuk duhet të lejojmë që sukseset e kaluara të hedhin hije mbi përpjekjet e ardhshme”, tha ajo.

”Shqipëria duhet të bëjë hapin tjetër drejt integrimit në BE. Jam e bindur se Bullgaria do të vazhdojë mbështetjen për Shqipërinë”, shtoi ajo./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like